Hashim Thaçi nuk kishte vepruar si me Kurtin në kohën e PAN-it

Hashim Thaçi nuk kishte vepruar si me Kurtin në kohën e PAN-it

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti Hashim Thaçi ia kërkoi Vetëvendosjes emrin e mandatarit për kryeministër. Por ndryshe pati vepruar në vitin 2017, kur fitues i zgjedhjeve ishte koalcioni PDK-AAK-Nisma. Pas certifikimit të zgjedhjeve ai pati nisur një seri konsultimesh me partitë parlamentare, duke u thirrur në Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 përkitazi me mandatarin e qeverisë.

Thaçi kishte dërguar ftesat për partitë politike pas takimeve që zhvilloi me zyrtarë të PDK-së, në njërën prej kafeneve të kryeqytetit. Disa ditë më vonë do ta takonte Ramush Haradinajn, i cili ishte kandidat për kryeministër, Kadri Veselin, Sami Lushtakun dhe Rrahim Pacollin. Pas tre muajsh partia e këtij të fundit – AKR-ja doli prej koalicionit me LDK-në dhe iu bashkua PAN-it në qeveri.

Kadri Veseli ishte rizgjedhur kryetar i Kuvendit vetëm pas tentativës së shtatë dhe me një shumicë të brishtë. Brenda të njëjtës ditë, Haradinaj i AAK-së u mandatua për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi. Kabineti qeveritar ishte votuar pas dy ditësh./Koha.net/

Konsultimet e ftuara para konstiutimit të Kuvendit nga presidenti Hashim Thaçi me partitë politike, opozita e atëhershme – LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, konsultat e Thaçit i patën konsideruar të panevojshme, që kanë për qëllim zvarritjen e krijimit të institucioneve.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ku fituese doli Vetëvendosja, Thaçi nuk thirri asnjë konsultë me partitë politike. E caktoi vetë datën e seancës konstituive pas certifikimit të rezultateve, ndërsa të premten i dërgoi dy ftesa në adresë të Albin Kurtin për t’ia kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër. Por Kurti nuk i shkoi në takim.

Për VV-në, udhërrëfyes për nominimin e kandidatit duhet të jetë aktgjykimi i vitit 2014, sipas të cilit “s’ka vetëiniciativë të presidentit” për caktimin e mandatarit. Vetëvendosje kërkon që fillimisht t’ia dërgojë me shkresë presidentit emrin për kryeministër, i cili më pas duhet të dekretohet. Dhe për këtë, konsiderojnë se nuk ka afat, duke iu referuar aktgjykimit. Kështu që pa e dërguar propozimin partia fituese, sipas interpretimit të neneve të aktgjykimit, presidenti s’mundet me e dekretu kandidatin për kryeministër.

Sa i përket pikës (b) Pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, siç shkruan në aktgjykimin e vitit 2014, Gjykata është e mendimit se propozimi për emërimin duhet të rrjedhe nga partia politike ose nga koalicioni i cili do t’ia paraqesë Presidentit të Republikës emrin e personit për mandatar për Kryeministër.

“Formulimi i përdorur e thotë qartë se emri i mandatarit duhet të propozohet nga partia politike ose nga koalicioni i regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje të përgjithshme. Si rezultat i kësaj, nuk është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që ai/ajo me vetiniciativë të propozojë kandidatin e tillë”, shkruan në vendim.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se po keqinterpretohet në publik lidhur me ftesën që ia ka bërë presidenti Thaçi- kryetarit të LVV-së Albin Kurti për ta mandatuar, dhe afatin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Sipas saj, afati për formimin e Qeverisë, nuk fillon të rrjedhë pas konstituimit të Kuvendit. Afati 15 ditor, fillon të rrjedh vetëm pas caktimit të mandatarit nga Presidenti.

Ajo ka cituar nenin 84.14 të kushtetutës sipas të cilit Presidenti “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike… që përbën shumicën në Kuvend”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0