Haradinaj: S`ka mik më të mirë por as armik më të keq se FSK-ja

Haradinaj: S`ka mik më të mirë por as armik më të keq se FSK-ja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova po hyn si e fundit në rreshtin e ushtrive të botës, dhe ishte koha që ta kishte rreshtin e vet.

E në këtë rresht ai thotë se Kosova po hyn në paqe, dhe e ka për nder të jetë pas Amerikës.

“Rreshti është fjala e parë që e mëson kur bëhesh ushtar. Rreshti për ne ka qenë i mohuar, qe mijëra vjet të tjerët kanë bërë rresht. Ne jemi bërë rresht në krejt ushtritë e botës, po na është mohuar e drejta me qenë në rreshtin tonë. E populli, ndër më të vjetrit në Evropë, i fundit po bëhet me rresht. Ne po vijmë në paqe, po vijmë të fundit në rresht por po hyjmë me paqe. Paqen e kemi fituar me dhimbje, e paqen e kemi fituar me aleatët tonë. Paqes i prinë Amerika, dhe e kemi për nderë me u rreshtuar pas Amerikës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se s’ka mik më të mirë, por as armik më të keq se FSK-ja. Ai ka cituar gjeneralin amerikan James Mattis, tani sekretar i Mbrojtjes në SHBA.

“Po e citoj një thënie të gjeneralit Mattis, s’ka mik më të mirë se marinsi, por s’ka edhe armik më të keq, edhe unë them se s’ka mik më të mirë se FSK-ja, por edhe armik më të keq. Sot janë gëzuar edhe të vdekurit edhe të gjallët. Edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës edhe të Adem Jasharit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se ushtria e Kosovës asnjëherë s’do të kthehet kundër popullit të vetë, pa marrë parasysh etnisë së tyre, duke shtuar se serbët do të mbrohen nga ushtria si në jug ashtu edhe në veri të Kosovës.

“S’do të veprojmë që ushtria jonë të kthehet kundër popullit të vet, jo kundër serbëve, si në jug e në veri, ata janë të këtij vendi. Ne s’kemi ardhur te rreshti si të fundit për të rrezikuar të tjerët por për të forcuar paqen. I ftojmë të gjitha ushtritë të bëjmë partneritet për paqen, po filloj me Shqipërinë, e pastaj edhe Malin e Zi, të Maqedonisë, e pse jo edhe ushtrinë e Serbisë siç dëshirojmë edhe paqen me Serbinë. Po ndalem me këtë të fundit Zoti e bekoftë Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0