Haradinaj përsërit: Marrëveshja për njohje e heq taksën

Haradinaj përsërit: Marrëveshja për njohje e heq taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova do ta heqë taksën ndaj Serbisë vetëm kur të marrë garanci për marrëveshje përfundimtare për njohje.

Sipas tij, ky është qëndrim i qartë i Kosovës dhe kjo u është bërë e ditur edhe partnerëve që po ashtu kanë qëndrim të qartë duke kërkuar që taksa të hiqet.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se një “sugjerim” të tillë ka marrë edhe sot në takimin me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por ka shtuar se taksa është e lidhur me njohjen nga Serbia.

“Është qëndrim i qartë i Departamentit të shtetit. Janë unikë. Sugjerojnë që taksa të pezullohet që t’i hapet rrugë dialogut. Është përsërit sot dhe në çdo takim por kemi pas edhe bisedë për shumë tema bilaterale. Qëndrimi ynë është i qartë. Edhe unë dua ta heq taksën krejt dhe Kosova e preferon, por është e lidhur me njohjen nga Serbia. Sugjerimi im është që të mos ndërlidhen temat. Dialogu ka filluar para taksës dhe asnjëherë s’është kushtëzuar dhe s’bën as tash. Arritja e marrëveshjes është në interes të Kosovës. Ajo nënkupton që të zgjidhë çdo gjë të hapur mes dy shteteve”, ka thënë Haradinaj duke shtuar se “Kosovës i ka kushtuar shumë procesi i dialogut qe 20 vjet”.

“Do t’i mbetem besnik bindjes se ekziston mënyra me e hekë taksën, por duhet të përgatitet një marrëveshje mes dy shteteve. Marrëveshja e heq taksën, obligative ligjore për njohje”, ka shtuar ai duke përsëritur se “kemi luajtur për 20 vjet e se tash është kohë tjetër”.

Ai ka komentuar edhe komunikimin e brendshëm të komandantit të FSK-së, Rrahman Rama me presidentin Hashim Thaçi se ekziston mundësia që SHBA-ja të mos dhurojë 12 milionë euro mjete për FSK-në. Ka thënë se Rama duhet të dijë se është komandant dhe nuk i bën mirë që del shpesh në media.

“Për Ramën, e respektoj, por ai duhet të dijë se është komandant i ushtrisë. Sa më pak që bëhet subjekt i mediave është më mirë. Nëse ai mendon se është zor ta mbajë ushtrinë, ka njerëz të rinj që mund ta bëjnë këtë. S’ka nevojë të dalë kaq shumë në media. Ka zëdhënës ministria e tij, ka zëdhënës ushtria e tij. Komandanti le të punojë. Kemi komunikim konfidencial. Anulohen vizita e shpeshtohen. Janë procese të jetës. Po e kuptoj pse po bëhen kaq zhurmë. Po i siguroj të gjithë këta që mendojnë se ruhet miqësia duke vepruar kështu, po e dëmtojnë miqësinë. Nuk u patëm mërzitur fare kur deshëm ta rrëzojmë Specialen edhe kur Amerika na thoshte mos, s’mërziteshim fare. Tash logjika se duhet të rritet presioni mbi qeverinë e vet për taksën me alarmin dhe ekzagjerimet që po bëjnë do t’ju kthehet keq të gjithëve të involvuar. Ushtroj profesionet e mija në bazë të Kushtetutës. Kjo është detyra ime”, ka thënë Haradinaj

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0