Haradinaj: Me rritjen e buxhetit, kemi dëshmuar se jemi për arsim cilësor

Haradinaj: Me rritjen e buxhetit, kemi dëshmuar se jemi për arsim cilësor

Kryeministri i Kosovës ka takuar sot përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, të kryesuar nga Rrahman Jashari.

Gjatë takimit, sipas njoftimit nga kryeministria, Haradinaj ka dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve lidhur me Projektligjin për pagat, ndërsa u ka thënë se Qeveria “ka dëshmuar se është për arsim cilësor”.

“Rritja e buxhetit në arsim është një nga hapat e shumtë që ne si Qeveri kemi ndërmarrë për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Krahas kësaj është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë”, ka thënë Haradinaj.

Më pas ai ka përmendur nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj “të hapet rrugë për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen”, por në të njëjtën kohë tha se do të angazhohen që edhe në Komisionin Parlamentar të bëhen përmirësimet e nevojshme.

“Me rritjen e buxhetit për arsim në 12 për qind se sa viti i kaluar, ne po dëshmojmë se jemi për cilësi dhe arsim të merituar dhe shqetësimet e të gjithëve tashmë kanë adresë”, ka theksuar më tej ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0