Haradinaj: Kosova ka kapacitete të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për Gjermaninë

Haradinaj: Kosova ka kapacitete të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për Gjermaninë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka kapacitete që të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për Gjermaninë.

Në një takim me ministrin gjerman të Shëndetësisë Jens Spahn, Haradinaj ka thënë se Gjermania është ndër vendet që ka dhënë më së shumti kontribut për pavarësinë e Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Haradinaj ka thënë se shëndetësia është ndër sektorët me prioritet në vend.

“Qeveria e Kosovës, me të drejtë e ka rritur rreth 20 për qind buxhetin për shëndetësinë, në të gjitha nivelet e saja për vitin 2019-të, si përpjekje për ta përmirësuar këtë sektor dhe për të përmirësuar shërbimet në fushën e mjekësisë dhe shëndetësia është ndër sektorët me prioritet në vend dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë angazhimin tonë”, ka thënë Haradinaj në këtë takim, thuhet në një njoftim për media.

Ai ka shtuar se partnerët si Gjermania janë tejet të rëndësishëm dhe se “Kosova është vend që përveç ekspertëve të mjekësisë, mund të ofrojë më shumë edhe në aspektin e shërbimeve mjekësore, nga këtu për vendet evropiane, me theks të veçantë për tregun shëndetësorë në Gjermani”.

“Kosova ka kapacitete për të ofruar shërbime shëndetësore dhe përcjellëse edhe për Gjermaninë. Ne kemi qenë dëshmitarë që ekspertët tanë tashmë kanë shënuar rezultate dhe suksese në Gjermani dhe vende të tjera, po ajo çka mund të bëjmë është, bashkëpunimi konkret, që nga këtu, me ekspertë tanë, t’i ofrojmë këto shërbime për Gjermaninë dhe ky lloj partneriteti do të jetë në interes të të dyja palëve”, ka thënë ai.

“Që nga paslufta, Kosova ka marrë më shumë se 650 milionë euro donacione nga Gjermania dhe një pjesë e tyre kanë qenë të dedikuara për sektorin e shëndetësisë. Vizita juaj sot është një dëshmi se kjo marrëdhënie duhet të përqendrohet më shumë në një partneritet. Nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët të qëllimit, në të cilën, shkëmbimi i përvojave në fusha të tilla si sigurimi shëndetësor, menaxhimi shëndetësor, kualifikimi i profesionistëve të shëndetësisë dhe mbështetja për akreditimin dhe certifikimin e stafit infermierë janë fusha me interes, për të cilat shprehim angazhimin tonë të plotë”, ka shtuar ai.

Në fund të njoftimit thuhet se Haradinaj ka treguar që “Qeveria prej muajsh ka nisur reforma të përgjithshme në vend, të cilat përfshijnë edhe reformat në shëndetësi dhe arsim, me qëllim të avancimit të këtyre sektorëve dhe vizita e sotme është rast i mirë për t’i parë nga afër këto të arritura dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0