Haradinaj insiston në gjithëpërfshirje për dialog

Haradinaj insiston në gjithëpërfshirje për dialog

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është vënë në thumb të kritikave të opozitës dhe analistëve politikë, për shkak të, siç thuhet, hezitimit të tij për të marrë rolin prijës në përfaqësimin e Kosovës në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë. Sipas opozitës, por edhe njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, që nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur jokushtetues Ligjin për delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, është qartësuar se kompetencën dhe përgjegjësinë ligjore për ta udhëhequr dialogun e ka kryeministri i Kosovës, në konsultim me presidentin.

Në kabinetin e kryeministrit Haradinaj, thonë se nuk ka hezitim për të marrë përsipër udhëheqjen e dialogut, por rikujtohet se Haradinaj po kërkon një konsensus të gjerë në lidhje me këtë proces.

Këshilltarja për media e kryeministrit, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Haradinaj asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë për dialogun. Ajo tha se kryeministri konsideron se Kosova nuk ka kohë për të humbur, por nga ky proces duhet të ketë rezultate konkrete.

“Nuk është hezitim sa i takon anës së kryeministrit, por është insistim që për çështjet madhore që kanë të bëjnë me definimin e të gjitha aspekteve me shtetin serb, të ketë gjithëpërfshirje dhe të ketë një dialog përmbajtjesor, një dialog të kornizuar që çon në njohje reciproke, në një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme në kufijtë ekzistues”, tha Gashi.

“Ky është qëndrimi i kryeministrit dhe në vazhdimësi për këtë qëndrim ai ka ftuar të gjitha palët në Kosovë që të ulen në tavolinë dhe të bashkohen sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë”, theksoi zëdhënësja Gashi.

/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/

COMMENTS

WORDPRESS: 0