Haradinaj i kishte blerë 200 hektarë tokë nga AKP-ja për 3 euro e 75 centë arin

Haradinaj i kishte blerë 200 hektarë tokë nga AKP-ja për 3 euro e 75 centë arin

Ramush Haradinaj gjatë kohës sa ende e mbante postin e kryeministrit të vendit, kishte deklaruar se gjatë vitit 2009, ai kishte blerë një tokë kodrinore nga privatizimi për vetëm 3 euro e 75 centë arin, përcjell Buletini Ekonomik.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh edhe udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në deklarimin e pasurisë së tij për vitin 2018, kishte pasqyruar se ka privatizuar rreth 200 hektarë tokë publike, dhe të njëjtën e ka blerë për 75 mijë euro, që i bie të ketë paguar për ari vetëm nga 3 euro e 75 centë.

Shitja e kësaj toke për Haradinajn ishte bërë nga vet Agjencia e Privatizimit të Kosovës (AKP), pasi ajo është përgjegjësja kryesore për privatizimin e pronave publike në vend.

Përndryshe, ky nuk është rasti i vetëm që pronat shtetërore shiten me një çmim qesharak dhe tejet të ulët. Ditë më parë edhe ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha, gjatë raportimit të tij para Komisionit hetimor të privatizimit të Kuvendit të Kosovës, kishte thënë se ka pasur raste kur 1 ari tokë ishte shitur për vetëm 1 euro.

Ai kishte thënë atë ditë se kur ka shkuar në AKP ka gjetur raste të shitjes se tokave me çmime qesharake. Ai ka përmendur një rast kur 50 hektarë ishin shitur për 5 mijë euro, pra 1 euro ari. “50 hektarë janë shitur për 5 mijë euro. Kam votu kundër, kam marrë vota që me e ndalë këtë shitje. Ka pas edhe kësi raste. Nuk kam pranu me nënshkru me kësi kushte”, kishte thënë Rexha para Komisionit. /Buletini Ekonomik/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0