Haradinaj- Hahn-it: Taksa hiqet vetëm kur të na njohë Serbia

Haradinaj- Hahn-it: Taksa hiqet vetëm kur të na njohë Serbia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me eurokomisonerin Johanes Hahn, në Mynih të Gjermanisë ku po marrin pjesë në Forumin e Sigurisë
Haradinaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, në momentin që nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai thotë se këto fjalë ia ka thënë komisionerit, Hahn, ku të pranishëm në takim kanë qenë edhe Pacolli e Avni Arifi.

Kryeministri ka thënë se kanë diskutuar edhe për çështjen e taksës, duke ia bërë të ditur Hahn-it që ai vendim nuk hiqet pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës.

Kreu i Qeverisë gjithashtu ia ka kujtuar Hahnit çështjen e vizave dhe faktin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim.

Njoftimi i Haradinajt:

Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran.

Këtë ia thashë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin pata rastin të diskutoj, së bashku me Zëvendëskryeministrin Pacolli, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perendimorë. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo.

Po ashtu, theksova edhe njëherë nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve tanë. Rikujtova se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0