Haradinaj: Fëmijëve do t’iu garantojmë që të rriten të qetë dhe të lirë

Haradinaj: Fëmijëve do t’iu garantojmë që të rriten të qetë dhe të lirë

“Jemi të vetëdijshëm për realitetin tonë dhe nuk është një realitet më i miri, i kemi disa probleme bazike, por, fëmijëve do t’iu garantojmë dhe sigurojmë një rritje sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, që të rriten të qetë dhe të lirë”.

Kështu u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të fëmijëve me temë “Çdo Ditë është 1 Qershori”, e cila u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Organizatat Syri i Vizionit dhe Save the Children zyra në Kosovë.

Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se ekspozimi i fëmijëve në disa dëme është i rrezikshëm dhe se ne jemi me fat që në Kosovë kemi partnerë dhe miq edhe UNICEF-i, që i trajtojnë të drejtat e fëmijëve.

Duke treguar një ndodhi të tijën me një fëmijë, i cili kujdesej për ambientin, kryeministri porositi të gjithë fëmijët që të luftojnë për një ambient të pastër. “Nuk ka asgjë në jetë më mirë sesa të kujdesemi për ambientin ku jetojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar edhe njëherë fëmijët se do të jetë përkrahës jo vetëm i të drejtave në letër për ta, por edhe i zbatimit dhe aktiviteteve të tyre.

Nga ana e tij, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se qëllimi i kësaj konference jo vetëm që është shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, por edhe prezantimi i Draft-Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve në Republikën e Kosovës.

Në këtë konferencë për të drejtat e fëmijëve folën edhe Trina Hoti, përfaqësuese e fëmijëve-Grupi ROR, Berandao Co, shef i Zyrës së UNICEF-it, Ahmet Kryeziu shef i Zyrës së “Save the Children” dhe Veton Mujaj, drejtor i Organizatës Syri i Vizionit.

Konferenca e sotme është aktivitet i rregullt vjetor që organizohet nga Zyra e Kryeministrit në nderim të 1 Qershorit,  Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0