Haradinaj: Edhe Isa Mustafa ka marrë statusin e veteranit, madje atë të luftëtarit

Haradinaj: Edhe Isa Mustafa ka marrë statusin e veteranit, madje atë të luftëtarit

Sipas njërit prej udhëheqësve të organizatave të dala nga lufta e fundit, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministër i Financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit në ekzil, pas luftës në Kosovë ka fituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve Luftëtarë të UÇK-së, Nasim Haradinaj, po thotë se edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka marrë statusin e veteranit luftëtar nga Komisioni qeveritar për identifikimin e tyre.

Haradinaj me bindje insiston se deri para një viti e gjysmë emri i ish-kryeministrit Mustafa ka figuruar në këto lista, ndaj të cilave Prokuroria e Shtetit është duke i hetuar, dhe pritet së shpejti të ngrihet një aktakuzë për mashtrim.

“Isa Mustafa e ka marrë statusin veteran luftëtar”, thotë Nasim Haradinaj në një bisedë për Gazetën Express.

Këtë fakt, Haradinaj thotë se ia ka përmendur para një viti e gjysmë kreu të LDK-së në një takim në zyrën e tij, sa ishte ende shef i ekzekutivit kosovar.

“Isa Mustafa ka qenë me statusin e veteranit. Para një viti e gjysmë, unë personalisht i kam thënë në zyrë që je edhe ti veteran, edhe nuk ka bo za. Edhe ka qenë”, thotë Haradinaj.

“A është hjekë prej asaj dite kur i kemi thanë na, nuk e di, se na mo s’e kemi listën. Por po, ka qenë”, shton ai, duke potencuar se organizata në të cilën ai vetë është nënkryetar prej atëherë nuk i janë dhënë më listat e reja të Komisionit qeveritar për veteranë.

I pyetur se si ish-ministri i Financave në Qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit ka marrë status të luftëtarit pa qenë në vijë të frontit të UÇK-së, Nasim Haradinaj është përgjigjur shkurt.

“E din ky”, thotë ai, duke iu referuar kreut të LDK-së dhe ish-kryeministrit të vendit.

“Problemi është kështu, se veteran luftëtar e kanë marrë edhe punëtorët e 3 përqindëshit, e edhe të “Vendlindja thërret” se s’kanë qenë në luftë. E, ajo është gabim”, shton nënkryetari i OVL-UÇK-së.

Në vitin 2014, kreu i LDK-së u zgjodh kryeministër i Kosovës nga koalicioni PDK-LDK, deri në maj të vitit 2017 kur Qeveria e tij u rrëzua me votë në Kuvend.

Por, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Llapit, Nuredin Ibishi, thotë të mos jetë në dijeni nëse emri i shefit të tij të partisë, Isa Mustafës, figuron në listat e Komisionit qeveritar për veteranë, si pjesëtar i vijës së frontit të luftës.

“Nuk e di për besë. Nuk e di”, tha të premten ish-deputeti i LDK-së për Gazetën Express.

Njësoj thotë edhe drejtuesi i organizatës pjesë e të cilës është Nesim Haradinaj. Por, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, të paktën ka dëgjuar të përflitet për këtë gjë.

“Përfolet shumë, por informacione nuk kam. Nuk e kam parë aplikacionin e tij dhe certifikatën. Me u përfolë përflitet, por nuk kam ndonjë informacion”, tha ai.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së.

Ndryshe, Nesim Haradinaj në bisedën për Gazetën Express, nuk ka dhënë numër se sa luftëtarë ka pasur UÇK-ja, por thotë se numri i veteranëve luftëtarë është i fryrë, duke akuzuar se një gjë të tillë e kanë bërë partitë politike për vota.

“Këta për politikë i kanë gjuajtë në kategorinë e parë, për votë. Tana partitë edhe VV, tona rend, rend”, thotë ai.

Fryrja e këtyre listave dhe dyshimet për mashtrime të mëdha me veteranë, janë subjekt i një hetimi që Prokuroria e Shtetit ka nisur dhe që pritet të konkretizohet brenda javëve me aktakuzë, edhe pse ish-prokurori i këtij rasti ka dhënë dorëheqje. Veprimi i këtij të fundit, Elez Blakaj, pretendohet se ka ardhur pas kërcënimeve që ka marrë gjatë hetimit dhe i njëjti pohon se është larguar për të jetuar në SHBA.

Blakaj, para ikjes nga Kosova, e kishte bërë gati aktakuzën, por të njëjtën nuk e kishte dërguar në gjykatë, pasi dha dorëheqje. Pas kësaj i njëjti shpërtheu në akuza për Prokurorinë e Shtetit dhe Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Sipas aktakuzës së Blakajt, për “veteranët e rrejshëm” akuzohen 11 persona, përfshirë edhe Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Shukri Bujën dhe ministrin aktual të FSK-së Rrustem Berisha.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0