Hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, Gërxhaliu kërkon që politika të ndahet nga ekonomia

Hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, Gërxhaliu kërkon që politika të ndahet nga ekonomia

Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe me mbështetje nga Qeveria e Kosovës, sot është hapur edicioni i 19-të tradicional i Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”. Panairi mbahet prej datës 18 deri më 21 prill, në Qendrën e Panaireve, fshati Shkabaj, Magjistralja Prishtinë-Mitrovicë.

Në këtë panair, prodhimet dhe shërbimet e tyre do t’i ekspozojnë 174 kompani të ndryshme. 88 prej tyre janë nga Kosova, ndërsa 86 të huaja.

Këto biznese vendëse dhe ndërkombëtare janë nga sektorë të ndryshëm të prodhimit, përpunimit, bujqësisë, shërbimeve, tregtisë dhe zejtarisë.

Në ceremoninë e hapjes solemne, kanë marrë pjesë ministra kosovarë, ambasadorë, përfaqësues të odave ekonomike dhe biznesmenë.

I pranishëm në hapjen solemne ka qenë edhe drejtori i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se në këtë panair promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian.

Ai tha se beson që nga ky panair do të dalë një mesazh për të ndërtuar të ardhmen.

“Agjenda politike vitetve të fundit i ka lënë në hije aktivitetet ekonomike. Sot me praninë e juaj Prishtinën e keni shndërruar në kryeqytet të Ballkanit Perëndimor për aktivitete ekonomike. Promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian, kjo i jep ekonomisë kuptim më ndryshe, por mbi të gjitha mund të sigurojë garancë politike dhe ekonomike, si dhe të ndryshojë percepcionin. Kemi numer të madh të kompanive, nga ndërtimtaria, IT-ja, etj. Dua të besoj që nga ky panair do të dal një mesazh, ndërtojeni ardhmërinë”.

Gërxhaliu ka kërkuar sërish që politika të ndahet nga ekonomia.

Ai shtoi se ky panair po mbahet në kohën kur ështe prezanuar edhe Raporti i Progresit për Kosovën.

“Ta ndajme politikën prej ekonomisë. Ardhmëria duhet të jetë e dedikuar në këtë drejtim.Ky panair po ndodh në diten kur është prezantuar Raporti i progresit, në ditën kur ka pasur kritika për ngecje. Sot po promovojmë vlera. Ky është panairi i fundit në panair si kryetar i Odës, sepse në Odë së shpejti do të ketë zgjedhje.

I falënderoj ata që më kanë kritikuar në mënyrë të argumentuar dhe ata që nuk kanë zgjedhur mjete për të më sulmuar në raste të caktuara edhe në familje” përfundoi ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0