Hamza: Nuk mjaftojnë vetëm reformat në ekonomi, nevojitet sundimi i ligjit

Hamza: Nuk mjaftojnë vetëm reformat në ekonomi, nevojitet sundimi i ligjit

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Politikat fiskale në 10 vite: Mësimet për të ardhmen”

Për këtë OEAK ka mbledhur të gjithë akterët relavantë për të folur rreth reformave të ndërmarra gjatë 10 viteve të shtet-ndërtimit të vendit.

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, tha se ndryshimet e vazhdueshme që janë bërë në politikat fiskale kanë pasur synim përmirësimin e ambientit të biznesit por që sipas tij, ato nuk mjaftojnë kur jemi tek tërheqja e investimeve të huaja. Sipas shefit të ekonomisë së Kosovës, për tërheqjen e investitorëve të huaj nevojitet sundimi i ligjit, lufta kundwër korrupsionit si dhe ofrimi i sigurisë për investitorët e huaj.

“Politikat fiskale janë një segment i rëndësishme, por nuk janë krejt”. “Nuk mjafton që të kemi vetëm politika fiskale të favorshme. Ka nevojë për sundim të rendit e ligjit, investitorët kanë nevojë që të sigurojnë kapitalin e tyre, gjithashtu ka nevojë për efikasitet të trajtim të lëndëve në gjykata”.

Hamza garantoi se reformat do të vazhdojnë edhe këtë vit. Ai tha se është e domosdoshme për bizneset që TVSh-ja të mos paguhet në kufi, ndonëse nuk e konsideron si proces të lehtë. “Ne do të vazhdojmë me reforma dhe këtë vit, gjithçka çka është e mirë çka është e dobishme do të vazhdojmë me shty më tutje”, tha ai.

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, derisa ka folur për fazat e ndërtimit të shtetit në aspektin ekonomik, ai ka kërkuar nga pasardhësi i tij që të jetë këmbëngulës për ruajtjen e stabilitetit ekonomik në vend.

“Në fazën e parë është faza e ndërtimit të institucioneve, që ka qenë normalisht presioni i madh për t’i themeluar institucionet, dhe kërkesat për një buxhet shtesë. Një gjë e mirë që ka ndodhë atëherë është hyrja në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në fazën tjetër të stabilizimit të institucioneve, problemi kryesor është zhvillimi i ekonomisë joformale. Faza tjetër është edhe stabiliteti i të hyrave”. “Sfidë tjetër, rritja e shpenzimeve qeveritare është e motivuar politikisht. Ka me qenë sfidë në stabilitetin e politikave fiskale, ka me qenë presioni që vjen nga politika sociale, e di qëndrimin konservator të Hamzës dhe i kërkoj që të jetë këmbëngulës për ruajtjen e stabilitetit”, ka porositur ai.

Arian Zeka, drejtor në OEAK, tha se legjislacioni fiskal dhe doganor në vend ka qenë subjekt i disa ndryshimeve gjatë viteve të fundit, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të politikave fiskale që nxisin zhvillimin e sektorit privat, me theks të veçantë në sektorin e prodhimit.

“Vendimet janë marrë në shpërndarje kohore të tillë që kanë sjellë pak përfitime për prodhuesit, por jo sa është dashur të përfitojnë” tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se dogana ka ndihmuar në shtet-ndërtimin e Kosovës përmes mbledhjes së të hyrave si një ndër kontribuesit më të mëdhenj të arkës së shtetit.

Sipas tij janë mbi 200 milionë euro që bizneset nuk i kanë paguar në Doganë si rezultat i Pakos Fiskale. Berisha tha se vetëm në janar të këtij viti si pasojë e hyrjes në fuqi të pakos së re fiskale bizneset kanë përfituar 4 milionë euro.

Ndërkaq deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se “moskrijimi i zonave të lira ekonomike është një shancë e humbur për Kosovën”. Ajo shtoi se nëse duam të kemi zhvillim ekonomik, duhet patjetër që të ketë stabilitet politik.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0