Grabovci e quan të padrejtë aktakuzën ndaj tij, kritikon sistemin e drejtësisë në vend

Grabovci e quan të padrejtë aktakuzën ndaj tij, kritikon sistemin e drejtësisë në vend

Ish-shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, e ka quajtur të padrejtë, ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Grabovci ka thënë se për këtë aktakuzë ka dëgjuar vetëm nga mediat, por ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend.

“Ende nuk kam marrë asgjë me shkrim në lidhje me këtë aktakuzë. Shihet se si vendoset drejtësia në vendin tonë. Ka afër dy vite që unë nuk jam deklaruar në lidhje me këtë çështje, pasi kam besuar në drejtësinë kosovare. Kjo aktakuzë është një padrejtësi e madhe kundër meje”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se në bisedat të cilat kanë qenë pjesë e përgjimeve, ka ofruar siç ka thënë, këshilla për votuesit e tij, duke shtuar se në asnjë rast nuk ka pasur kompetenca ekzekutive për të vendosur lidhur me punësimin e tyre.

“Unë vetëm i kam këshilluar votuesit e mi. Nëse kjo është e ndaluar, unë e pranoj dënimin kapital, por kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës edhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë se cilat janë përgjegjësitë e deputetit. Unë kam qenë vetëm deputet dhe nuk kam pasur kompetenca ekzekutive për ta keqpërdorur detyrën time”, ka deklaruar Grabovci, duke shtuar se e gjithë kjo është bërë nga një medium i papërgjegjshëm.

Grabovci ka thënë se në funt të këtij procesi do të del i pafajshëm.

“Unë në asnjë formë nuk ndihem fajtor. Në Gjykatë do të shqyrtohen të gjitha provat dhe në fund të shqyrtimit unë besoj fuqishëm se do dal i pafajshëm”, ka thënë Grabovci.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë edhe ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, dhe deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në rastin e aferës “Pronto”.

Për ngritjen e kësaj aktakuze, PSRK-ja ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për media.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë edhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, etj.

“Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci. Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0