GLPS-ja kërkon tërheqjen e vendimit për shpronësimin e parcelës “Dukagjini Rezidencë”

GLPS-ja kërkon tërheqjen e vendimit për shpronësimin e parcelës “Dukagjini Rezidencë”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me shqetësim ka lexuar Vendimin e Qeverisë së Kosovës Nr. 05/105 të datës 28.05.2019 me të cilin kjo e fundit ka miratuar kërkesën për të shpronësuar pronën e paluajtshme të ndërtuar në parcelën me numër Nr. 10209-0 dhe objektet tjera administrative që janë pjesë e kësaj parcele, të referuar si Dukagjini Rezidencë.

Përmes një komunikate për media GLPS-ja thotë se ky vendim është arsyetuar kinse adreson nevojën e akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës (kjo sipas arsyetimit dhe qëllimit të interesit publik).

GLPS, duke u nisur nga qëllimi i Ligjit për Shpronësimet Publike dhe nevoja që Qeveria e Republikës së Kosovës të drejtojë sjelljen e saj konform interesit qytetar dhe shtetëror, kundërshton vendimin e tillë dhe këtë të fundit e konsideron si pikënisje të pa-precedent të abuzimit me paranë publike, ligjet në fuqi dhe konceptin e shpronësimit për interes publik.

“Përderisa askush nuk diskuton faktin që institucionet e Kosovës kanë nevojë të posedojnë objektet e tyre të përhershme, GLPS vë në pikëpyetje nëse kjo formë klandestine dhe arbitrare e identifikimit të pronës së paluajtshme (parcelës në fjalë) për shpronësim ka si qëllim që të shfrytëzojë paranë publike në interesin më të mirë publik”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Tutje GLPS-ja Qeveria e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë miratuar dhe hartuar një vendim të tillë e kanë parasysh që blerja e pronave të paluajtshme për shfrytëzim publik duhet të jetë proces i hapur tenderues dhe konkurrues, sipas ligjit për prokurim publik të Republikës së Kosovës. Për më tepër, Qeveria e Kosovës në një proces të tillë duhet të listoj kërkesat dhe kushtet e saj, duke filluar nga sipërfaqja, lokacioni, çmimi, kriteret e ndërtimit, ndër të tjera. Poashtu, Qeveria e Kosovës si dhe ata që miratuan dhe hartuan këtë vendim e kanë të njohur faktin që Komuna e Prishtinës (por edhe komunat tjera përreth) posedojnë parcela të panumërta të cilat do mund t’i ndahen Qeverisë së Kosovës dhe që ndërtimi i objekteve qeveritare të realizohet në koston më të ulët të mundshme, dhe në përputhje me nevojat e saj.

Shpronësimi i objekteve të zgjedhura me “gisht”, në një proces të mbyllur, jo-konkurrues, pa asnjë vlerësim dhe kritere paraprake, përshtatshmërinë dhe elementet tjera të panumërta (që aplikohen në raste të tilla) është sinjal i qartë dhe indikacion i pa-diskutueshëm që ky shpronësim nuk është konform interesit publik dhe abuzues që në thelb.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, konkretisht, Kryeministrit, Ministrit të Financave dhe Administratës Publike që të tërheqin këtë vendim, kurse Prokurorisë Speciale të Kosovës të filloj hetimet për të vënë dritë në këtë tentativë të hapur të abuzimit me ligjin, interesin publik dhe paranë publike”, thuhet në komunikatë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0