Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e presidentit Thaçi

Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e presidentit Thaçi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbetur jofunksional pasi që Gjykata Kushtetuese ia ka refuzuar kërkesën presidentit Hashim Thaçi për përbërjen e re të KQZ-së, duke e vlerësuar këtë kërkesë si të papranueshme, shkruan Gazeta Express.
Ka disa muaj qëkur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretim sa i përket çështjes së përfaqësimit të subjekteve politike në KQZ. E që nga atëherë, ky institucion nuk ka funksionuar.

Mirëpo, sot Kushtetuesja e ka hedhur poshtë kërkesën e presidentit.

Presidenti kishte kërkuar nga Kushtetuesja interpretim të nenit 139 duke shtruar edhe pyetjet: nga cilat grupe parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: a) nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës?; apo b) nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”.

Por, lidhur me këtë Gjykata ka sqaruar se kanë juridiksion të vendosin vetëm për rastet e ngritura para saj në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar, dhe kërkesën e presidentit e ka cilësuar si të papranueshme dhe se nuk hyn në fushëveprimin e juridiksionit të Kushtetueses.

“Në këtë kuptim, Gjykata është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, sipas nenit 112, paragrafi 1, të Kushtetutës, në lidhje me rastet e ngritura para saj sikurse përcaktohet me nenin 113. Gjykata theksoi se ajo nuk merret me interpretime për çështje që lidhen me veprime ose me mosveprime juridike të institucioneve kushtetuese për të cilat nuk është e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës. Prandaj, neni 112, paragrafi 1, i Kushtetutës nuk mund të interpretohet jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës. Në lidhje me kuptimin dhe me kufijtë e nenit 84 (9) të Kushtetutës, Gjykata theksoi se kërkesat e parashtruara mbi këtë bazë mund të jenë të pranueshme vetëm brenda juridiksionit të rregullt të Gjykatës, të përcaktuar shprehimisht dhe qartë në nenin 113, paragrafët 2 dhe 3”, thuhet në aktvendim.

Sipas Gjykatës, çështja që u ngrit nga presidenti nuk hyn në fushëveprimin e juridiksionit të Kushtetueses dhe si e tillë kjo kërkesë është e papranueshme.

COMMENTS

WORDPRESS: 0