Gjermania për dy vjet i ka lëshuar rreth 26 mijë viza për kosovarët

Gjermania për dy vjet i ka lëshuar rreth 26 mijë viza për kosovarët

Kosovarët janë të vetmit në Evropë që ende nuk kanë liberalizim të vizave për të udhëtuar në zonën shengen. Parlamenti Evropian i dha dritën jeshile një vit më parë me shumicë votash pro rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas raporteve ndërkombëtare në dekadën e fundit nga Kosova kanë migruar 15.4 për qind e popullsisë kryesisht në shtetet evropiane. Në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë aplikuesit për një vizë pune nga data që aplikojnë presin përafërsisht 24 muaj për një përgjigje. Kjo ndodhë nga fakti se numri i madh i aplikuesve për viza pune bën që të ketë vonesa në procesimin e tyre. Zyrtarë nga ambasada gjermane në Kosovë thanë për Express se kanë lëshuar rreth 13 mijë viza për qëndrim afatgjatë në vitin 2018, që përfshijnë viza për bashkim familjar, punë, studime. Shifra të njëjta pritet të jenë edhe në vitin 2019.

Gjermania mbetet shteti i preferuar evropian nga kosovarët për të migruar për arsye ekonomike.

Kosovarët aplikojnë në masë të madhe për t’u pajisur me vizë pune në ambasadën e këtij shteti në Kosovë, duke bërë që përgjigjet për një vizë të tillë nga data e aplikimit të vonohen gati dy vjet, shkruan Gazeta Express.

Gazeta Express ka kontaktuar ambasadën gjermane në Prishtinë për të pyetur lidhur me numrin e vizave të punës të lëshuara nga kjo ambasadë për kosovarët në vitin 2019.

Zyrtarë nga kjo ambasadë thanë se sipas zhvillimeve aktuale shifrat për vizat e lëshuara në vitin 2019 do të jenë të përafërta me ato të vitit 2018.

Gjatë vitit 2018 ambasada gjermane në Prishtinë ka lëshuar 13 mijë viza për qëndrim afatgjatë duke përfshirë viza pune, viza për bashkim familjar dhe për studime.

“Gjatë vitit 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38,000 viza. Prej tyre rreth 25,000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Shengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13,000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”.

E numri i njëjtë i vizave të lëshuara nga ambasada gjermane në Prishtinë për aplikuesit nga Kosova do të jetë në trendin e njëjtë sipas zyrtarëve të saj.

“Sipas zhvillimeve aktuale duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Sipas këtyre shifrave rreth 26 mijë kosovarë kanë marrë vizë për qëndrim afatgjatë brenda dy vjetëve(2018-2019) në Gjermani qoftë për të punuar, për bashkim familjar apo studime.

Pos Gjermanisë, kosovarët aplikojnë për viza afatgjate edhe në ambasadat e shteteve të tjera për të migruar me viza pune apo me viza të tjera.

Kjo tregon që edhe në vitin 2020 kosovarët do të provojnë migrimin, si zgjidhje për largim nga Kosova.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: