Gjermania pa qëndrim për liberalizimin e vizave, japin vërejtje për sundimin e ligjit

Gjermania pa qëndrim për liberalizimin e vizave, japin vërejtje për sundimin e ligjit

Qeveria gjermane e kancelares Angela Merkel ende nuk ka gjetur një kompromis sa i përket hapave që do të ndërmarrë në vazhdim, për të shtyrë përpara ose jo çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës në instancat vendimarrëse të Bashkimit Evropian

Zyrtarë të kësaj qeverie vlerësojnë se Republika e Kosovës ende çalon sa i përket arritjes së rezultateve pozitive në parandalimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe vazhdojnë ta shohin si problem edhe çështjen e migrimit.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stefan Ruwwe- Glösenkamp, thotë se qeveria e kancelares Angela Merkel ende nuk kanë rënë dakord se çfarë veprime do të marrin në të ardhmen sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Qeveria federale ende nuk ka rënë ende dakord për rrjedhën e mëtejshme të veprimeve”, ka thënë ai, kur është pyetur se “A do ta ngrejë Gjermania për diskutim çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin Evropian, si një shtet anëtar që është?”, shkruan Gazeta Express.

Glösenkamp ka rikujtuar se në diskutimet bëra në komisionet brenda Bashkimit Evropian, nga pikëpamja e Presidencës Austriake, ishte konstatuar se ende nuk janë pjekur kushtet që kosovarët të lëvizin pa viza nëpër Evropë, duke përmendur si probleme, parandalimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rreziqet e migrimit.

Probleme për të cilat edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, thotë se ka vend për përmirësim.

“Nga pikëpamja e Presidencës austriak në fund të nëntorit [2018], diskutimet në komisionet e BE-së, treguan që ende nuk janë pjekur kushtet për liberalizimin e vizave për Kosovën. Diskutimet u përqendruan në veçanti tek rezultat në parandalimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe rreziqet e migracionit. Ministria e Brendshme Federale, gjithashtu sheh vend për përmirësime këtu”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi Stefan Ruwwe- Glösenkamp

Se a do të lëvizin kosovarët pa viza gjatë kësaj vere nuk e dinë as nga Këshilli Evropian, institucion ky i cili tashmë e ka në dorë këtë çështje.

“Diskutimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Unë nuk mund të spekuloj për atë se kur do të dërgohet kjo çështje në nivelin e ministrave, apo se edhe kur do të mundë të merret vendimi”, ka thënë të enjten për Gazetën Express një burim brenda Bashkimit Evropian.

Ndërkohë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën tashmë është në dorën e Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare.

Edhe Soltes ka thënë se nuk mund të tregoj nëse do të ndodh liberalizimi gjatë kësaj vere, megjithatë ai si deputet i Parlamentit Evropian thotë se një gjë e tillë duhet të ndodh sa më shpejtë të jetë e mundur.

Aktualisht kryesimin me presidencën e Bashkimit Evropian e ka Rumania, deri me 1 korrik 2019, të cilët kanë thënë se nuk do të kursejnë asnjë përpjekje që ta shtyjnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Pas Rumanisë do të jetë Finlanda ajo që do të kryesoje me presidencën e Bashkimit Evropian, ndërkohë pritet të shihet se çfarë do të ndodh me procesin e liberalizimit deri në verë.

Zyrtarisht nga Bashkimi Evropian është thënë që Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret për marrë liberalizimin e vizave, megjithatë shqiptarët nga Kosova vazhdojnë të mbeten populli i vetëm i izoluar brenda Ballkanit./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0