“Gjermania nuk investoi shumë në Kosovë për shkak të korrupsionit”

“Gjermania nuk investoi shumë në Kosovë për shkak të korrupsionit”

Me rastin e shënimit të 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Gjermani, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nuk ka shumë investime të mëdha gjermane në vend, për shkak se është besuar se në Kosovë ka korrupsion, se rendi dhe ligji nuk funksionojnë, dhe rrethanat për investime janë të vështira

Kjo bindje, sipas Haradinajt, është krijuar jo vetëm te investitorët në Gjermani, por edhe në Francë dhe vende të tjera të BE-së, por siç tha ai, në dekadën e dytë që kanë filluar së bashku, ia vlen që ta rifitojë guximin dhe t’i rikthehen mundësisë për investime në Kosovë nga kompanitë gjermane.

“Jam thellë i bindur se Kosova është kompatibile, është garuese me kushtet që i ofron jo vetëm në regjion. Infrastruktura jonë mundëson jo vetëm operim në tregun në Kosovë, por edhe lidhje me tregjet regjionale dhe lidhje edhe me tregjet në BE”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se popullata e re në Kosovë ka pasion punën, dhe njëkohësisht është e rëndësishme se Kosova ka resurse të paaktivizuara.

Kryeministri Haradinaj po ashtu foli edhe për diasporën shqiptare në Gjermani, të cilët kanë ndjenjë të fuqishme për Gjermaninë, lidhje këto të cilat bëhen më të forta dhe krijojnë obligim më të madh ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj bëri thirrje për investime nga Gjermania në Kosovë, duke theksuar se janë dy projekte të cilat japin shpresë, shkolla Loyola në Prizren, një kualitet Gjerman i shkollës, projekt ky i cili vlen t’i jepet përkrahje, për shkak se fëmijët që kryejnë shkollë në këtë gjimnaz janë të gatshëm qoftë të vazhdojnë studimet në këta parametra, apo edhe t’i bashkohen tregut të punës me kualitete të fituara.

“Projekti tjetër që na jep shpresë është kampi ushtarak, transformimi i tij në një kamp ekonomik edhe për simbolikën e vet, pra flamuri i Bundeswehr-it që ka qenë i vendosur në Prizren, të kthehet në një flamur ekonomik të Gjermanisë, prezencës ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0