Ferizaj bëhet me Qendër të Inovacionit

Ferizaj bëhet me Qendër të Inovacionit

Gjatë ditës së sotme në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, edhe zyrtarisht është bërë nënshkrimi i memorandumit për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarësisë. Nënshkrimi u bë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu si dhe Ministri i Inovacioneve dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.

Gjatë kësaj cermonie u tha se Ferizaj për herë të parë bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, hap ky i rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove për nevojat e tregut.

Në fjalën e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka folur për rëndësinë e hapjës së Qendrës së Inovacionit.

”Kjo datë, paraqet fillimin e rrugëtimit në kalendarin e investimeve në qeverisjen time dhe gurthemelin e palëkundur të prosperimit tonë ekonomik e shoqëror në nivelin lokal”, ka thënë kryetari Aliu.

Ai tutje është shprehur se Ferizaj, është kryeqyteti ekonomik i Republikës së Kosovës, komuna që po njeh ritme të shpejta të zhvillimit të qëndrueshëm dhe siguri të investimeve të rëndësishme publike e private, vendi i mundësisë për të gjithë dhe infrastrukturë të nevojshme për të realizuar idetë kreative e biznesore.

“Edhe ky projekt, do të luaj një rol themelor në jetësimin e politikave tona zhvillimore ekonomike si dhe atë për të cilën qeverisja ime është e vendosur, dhënies së mundësisë së barabartë për të gjithë. Në kohën tonë moderne, botën e mbuluar dhe kontrolluar nga teknologjia , inovacioneve që po zvogëlojnë hendekun në mes njerëzve, shembjes së murit të pakalueshëm dikur të qasjes dhe komunikimit, lehtësimit të përditshmërisë sonë, investimet në këso projekte janë dëshmi e qartë se shoqëria jonë, vendimmarrësit e nivelit qendror e lokal, kanë tashmë një agjendë të qartë investimesh, të vlefshme për të lehtësuar tregun e punës nga pesha e punëkërkuesve të moshës së re dhe zhvillimin tonë të përgjithshëm”, tha kryetari Aliu.

I pari i qytetit, Kryetari Agim Aliu, ka thënë se Ferizajt po i shtohet një aset mjaft i vlefshëm, një hapësirë që i ka munguar kaherë mozaikut të zhvillimit të përgjithshëm lokal.

“Kjo qendër do të krijoj një mundësi për të gjithë ju, të interesuar në fushën e teknologjisë, të ideoni, procedoni dhe realizoni planet tuaja profesionale, rezultatet e së cilave do të shërbejnë edhe për aplikimin më efikas të politikave tona dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Në platformën time qeverisëse, një hapësirë të gjerë zë edhe digjitalizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, luftimi i korrupsionit dhe keqpërdorimeve në administratën publike, produktet e së cilës mund të krijohen pikërisht në këtë qendër që sot po e finalizojmë me nënshkrimin e këtij memorandumi”, ka potencuar Aliu.

Ndërsa Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se Ferizaj, sot po shënon një fillim të ri për të rinjtë e këtij qyteti, që ka një zhvillim të mirë edhe ekonomik.

“Synimi ynë është që studenteve tanë me te mos t’ju japim vetëm mësime praktiken, por t’i shndërrojmë ato edhe ne mësime praktike. Kjo qendër do të jetë adresa e duhur dhe e sakte për te gjithë ata qe kanë ide dhe nevoja biznesore. Qëllimi ynë është që të lidhim studentet me ndërmarrësin, që ta rrisim produktivitetin. Këto janë pikat ku takohem idetë aktivitetet biznesore dhe fuqia punëtore. Ne ndoshta nuk mund te t’i mësojmë nxënësit për avancime të larta teknologjike, por na duhet t’i mësojmë ata që të jene kreativ e human në inovacion dhe kudo tjetër. Unë e përgëzoj kryetarin Aliu për lëvizjet dhe përkushtimin dhe lëvizjet e tij për ta sjell ketë qendër ne Ferizaj. Ne do ta përkrahim financiarisht sepse rinia po ec para kudo ne bote dhe neve na duhet të ju prijmë me pune te mire” tha ministri Beqaj.

Për rëndësinë e këtij memorandumi foli edhe dekani i Universitetit te Shkencave te Aplikuara prof Afrim Loku si dhe Agon Avdimetaj nga Qendra për Inovacion e Kosovës. U tha se Ferizaj është qytet universitar i frekuentuar nga studentë jo vetëm ferizajas por edhe të rajonit. Hapja e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë në funksion edhe të programeve të aplikueshme tashmë nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0