Fehmi Mehmeti zgjidhet Guvernator i BQK-së

Fehmi Mehmeti zgjidhet Guvernator i BQK-së

Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro ka zgjedhur Fehmi Mehmetin Guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Në garë për t’u zgjedhur Guvernator i BQK-së ishin Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Safet Merovci dhe Besnik Bislimi.

Besnik Bislimi ka marr 31 vota, Shkëndije Himaj mori 15 vota dhe Safet Merovci 4 vota.

 

Biografia e Fehmi Mehmetit

Fehmi Mehmeti më 11 shtator 2017 ishte emëruar nga Bordi i BQK-së për Ushtrues Detyre të Guvernatorit deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri, ndërsa në vitin 2013 Mehmeti ishte emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në BQK. Në këtë pozitë, Mehmeti ishte i ngarkuar për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, të cilat operojnë në vend, apo në veçanti të bankave, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve financiare jobankare, kompanive të sigurimit, të fondeve pensionale dhe letrave me vlerë.

Mehmeti ka qenë pjesë menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez ‘Limak & Airport de Lyon MAS’, në periudhën 2011-2013. Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike ‘Uniteti’ në Mitrovicë. Për gati dy vite ka qenë Menaxher i Kontrollit për tatimpaguesit në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Gjithashtu, Mehmeti në periudhën 2010-2013 ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ si ligjërues. Nga nëntori i 2007-së deri në korrik të 2009-së ka qenë këshilltar i TVSH-së për tatimpaguesit pranë ATK-së dhe gati për dy vite ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Vushtrrisë.

Aktualisht Mehmeti është kandidat për PHD pranë ‘State University of Library Studies and Information Technologies’. Ai ka magjistruar për Tregjet Financiare dhe Bankat.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0