Familjarët thonë se zbardhja e fatit të të pagjeturve peng i politikës

Familjarët thonë se zbardhja e fatit të të pagjeturve peng i politikës

Familjarët e personave të zhdukur në Kosovë thonë se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion te Serbia për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Dy dekada pas përfundimit të luftës, ata vazhdojnë të presin lajme për më të dashurit e tyre, vendndodhja e të cilëve thonë se dihet mirë, por që zbardhja e fatit po mbahet peng nga politikanët.

30 gushti “hap” plagët në secilën shtëpi ku dikush mungon. Dita Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur u sjellë atyre edhe njëherë në kujtesë që ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur.

Të mllefosur ndaj politikanëve, e të pashpresë, megjithatë familjarët thonë se nuk do të ndalen asnjëherë derisa të zbardhet fati i më të dashurve të tyre.

Edhe sivjet ata po pyesin “Çka me të pagjeturit”?. E këtë pyetje e kanë drejtuar ndaj gjithë atyre që janë të përfshirë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, gjatë një konference të mbajtur në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 30 gushtin në Prishtinë.

Udhëheqësit institucionalë në Kosovë vazhdimisht u kanë premtuar familjarëve që do ta kenë prioritet çështjen e të zhdukurve, madje edhe në bisedimet Kosovë-Serbi.

Por, pushtetarët në Kosovë nuk arritën të mbyllin një prej çështjeve më të ndjeshme në vend, atë të të zhdukurve në luftë.

Nuk u mësuan asnjëherë vendndodhjet e mbi 1600 personave të zhdukur nga regjimi i Sllobodan Millosheviq në luftën e fundit në Kosovë dhe kjo çështje nuk u shtrua në tavolinën e Brukselit, në bisedimet Kosovë-Serbi. Përveç në aspektin teknik.

Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në bisedimet në Bruksel kishte iniciuar çështjen e të pagjeturve, ku BE kishte kërkuar listat e personave dhe vendndodhjen e tyre. Por Serbia asnjëherë nuk bashkëpunoi në zgjidhjen e kësaj çështje.

Beogradi zyrtar nuk ka bashkëpunuar lidhur me këtë çështje duke mos dhënë lokacionet.

Agonisë së tejzgjatur, e përjetuar nga familjarët nuk po i vije fundi.

Rezultatet e pakta në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kanë bërë që familjarët të mllefosën me ata që janë në krye të institucioneve dhe partive politike.

Tani në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës, Bajram Çerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, që përfaqëson familjet e të zhdukurve, u bënë thirrje të gjitha shoqatave që mos të pranojnë të takohen me politikanë për fushata zgjedhore.

“E kam një apel, të gjitha shoqatat, mos mujsha te të gjitha shoqata, të familjarët e shoqatës ‘Zëri i Prindërve’ dhe në këtë qendër, ne do të kemi një takim edhe njëherë para zgjedhjeve, do t’i porosisim familjarët që larg politikës, nuk përzihemi kujt me ja dhënë votën, por akterët e tyre brenda, mos t’i pranojnë në shoqatë, “Zëri i prindërve” nuk ka me i pranu, kjo qendër nuk ka me i pranu brenda. Unë propozoj asnjë mos me pranu, gjatë fushatës le të dalin nëpër tjera vende dhe jo të përdorin njerëz me plagë, njerëz me dhimbje me një brengë të pashërueshme që 20 vjet”, thotë ai.

Çerkini i cili përfaqëson familjet shqiptare në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, thotë se nuk po marrin përgjigje konkrete për asnjë nga pyetjet që po i drejtojnë.

“Çka është duke ndodhur me personat e pagjetur, çka po ndodhë në teren, çka po ndodhë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, çka po ndodhë në varrezat masive, nuk kemi marrë sa duhet përgjigje, as për asnjë pyetje konkrete. Një pyetje ose një përgjigje që është marrë, e përfituar disi me një zbutje, ka qenë se javën tjetër do të shkojnë në ato lokacione, i kanë dhënë familjarët skicat”, thotë ai.

Sipas tij, të gjitha dosjet për këtë çështje janë në duart e politikanëve dhe të njëjtit duhet të përgjigjen.

Ai vazhdon të mendojë që zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, në mesin e tyre edhe djalin e tij të zhdukur, po e mbajnë peng politikanët.

“Politikanët e Beogradit por edhe ndërkombëtaret, por mos t’i ndajë edhe vendorët, politikanët e mbajnë peng zbardhjen e fatit të të pagjeturve, mjerisht na mbajnë peng edhe ne të gjallëve të cilët gjithmonë na rreh teli në vesh ‘o babë hajde mermë, oj nënë hajde mermë, vëlla hajde mermë, oj motër hajde mermë’, e shumë të tjerë të cilët iu rreh teli në vesh gjithmonë hajde merrna se duam me qenë afër juve. Nuk bëhet sa duhet, nuk janë të sinqertë, nuk janë serioz ndaj kësaj çështje e cila për mua është plagë e pashërueshme, dhe është vështirë ta shërosh një prind që 20 vjet nuk e di ku është”, thotë ai.

E për drejtorin e Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili tash e 20 vjet është brenda procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, çështja ka mbetur nën mëshirën e një trysnie ndërkombëtare e cila nuk po ndodhë.

“Ne jemi duke punuar por rezultati i kërkimeve dhe hulumtimeve është i dobët, thjesht mungojnë informatat. Ne e dimë fare mirë se Serbia ka qenë një shtet ushtarak dhe policor dhe ka qenë e organizuar dhe e dimë që ata çdo gjë e kanë bërë me proces, e dimë edhe nga e kaluara sepse shumë procese kemi gjetur ku ata me centimetra e kanë ditur ku i kanë varrosur njerëzit e vrarë, por jemi nën mëshirën e një trysnie ndërkombëtare e cila nuk është duke ndodhur ashtu seriozisht siç do të duhej të ndodhte ndaj Serbisë për të treguar vend lokacionet se ku ndodhen të afërmit tanë”, thotë ai.

Sivjet shënohet 30 gushti nën moton “20 vjet pritje, dhimbje e krenari”.

Aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe funksionon me qeveri të dorëhequr.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, vë fajin mbi Serbinë për mosbashkëpunim.

“Duhet me thënë hapur që është bërë shumëçka sepse ne po dimë vetëm me kritiku shpesh herë, mirëpo ky proces është shumë i ndërlikuar, duhet me ditë që kriminelët kanë bartur kufomat e fëmijëve tanë dhe për ta fshehur krimin i kanë bartë në varreza të ndryshme. Këtu duhet me shtu edhe mosgatishmërinë për bashkëpunim të palës serbe sepse nuk mundem me fajësu krejt popullin serb, mirëpo ata që kanë qenë projektues të krimeve ende sot fatkeqësisht janë në pushtet, dhe nuk janë të gatshëm, janë deklarativisht për nënshkrimin e marrëveshjeve por të cilat nuk zbarohen, nuk japin informata”, tha ai.

Dy vjet më parë në Prishtinë u hap Qendra multietnike Burimore për Persona të Zhdukur, me qëllim që të bashkohen përfaqësuesit dhe familjet e personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ajo udhëhiqet nga Bajram Çerkini, që përfaqëson familjet shqiptare, dhe Millorad Trifunoviq, koordinator i Shoqatës së Familjeve Serbe të Kidnapuara dhe të Zhdukura, nga familjet serbe.

Aty thonë se janë bashkuar për qëllimin e vetëm, që të mund të kuptojnë vendndodhjen e familjarëve të tyre ende të pagjetur.

Millorad Trifunoviq thotë se 30 gushti është dita kur ndjehen si njerëzit më të pikëlluar.

Sipas tij, familjarët nuk do të gjejnë asnjëherë ngushëllim nëse nuk e dinë varrin e më të dashurve të tyre.

Ai tha se lokacionet mund të gjenden fare lehtë, derisa thotë se ata që kanë kryer krime kanë vrarë edhe dëshmitarë, diçka që e bënë më të vështirë zbardhjen e procesit.

Duke folur për trajtimin që i bëjnë politikanët çështjes së personave të pagjetur, thotë se është shumë e nevojshme që çështja të shkruhet në bisedimet Kosovë-Serbi, por që sipas tij, zvarritja e këtij procesi mund t’i përshtatet dikujt nga politikanët.

“Nuk e di pse ose kujt po i konvenon kështu, kush e ka në interes që mos të përmendet çështja e personave të zhdukur, në Bruksel, mirëpo unë personalisht mendoj që kjo shkon në interes të dikujt nga politikanët dhe ata e kanë në interes që mos të diskutojnë këtë çështje atje, nuk e di arsyen pse. Mendoj se çështja duhet gjithsesi të përmendet në dialogun e Brukselit sepse kjo është çështje e së ardhmes, nëse duam të kemi pajtim edhe besim të njëri tjetri, komunitetet në Kosovë, nëse diskutohet kjo çështje është për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve që ata që jetojnë në paqe dhe harmoni me njërin tjetrin”, thotë ai.

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur në Kosovë kërkon edhe 1653 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Nesër në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, do të marshohet në sheshet kryesore të Prishtinës, dhe familjarët e krerët institucional do të vendosin lule në obeliskun pranë Kuvendit të Kosovës.

COMMENTS

WORDPRESS: 0