Familjarët të zhgënjyer me institucionet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Familjarët të zhgënjyer me institucionet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve


Në Prishtinë është mbajtur një marsh të cilit i janë bashkuar edhe shumë familjarët, e më pas janë bërë edhe homazhe tek obelisku i të zhdukurve .

Familjarët e personave të zhdukur janë shprehur të zhgënjyer me punën që deri tani e kanë bërë institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të ndriçuar fatin e të pagjeturve në Kosovë.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur ka fajësuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare që ende nuk është ndriçuar fati i personave të pagjetur në Kosovës.

Sipas tij, adresa ku ndodhen familjarët tash e sa kohë dihet se është Serbia.

“Kanë një plagë të cilën nuk po mund ta shërojnë jo vetëm vendorët por nuk po na ndihmojnë as ndërkombëtarët , gjithmonë po thonë se është adresa në Serbi, atë po e dinë edhe nxënësit e shkollave fillore por si duhet me e shty pa krah, si duhet me shty procesin pa ndihmë, si duhet me e shty Serbinë me na tregua ku i ka lënë gjithmonë për neve familjarët janë fajtor ata që marrin rroga edhe nuk i kanë kryer punët. A e dini me kënd me ata që na kanë çliruar me ata që po rrinë sot këtu …institucionet vendore dhe ndërkombëtare ata ndërkombëtare po vijnë po jetojnë këtu…Këtu po vijnë po bëjnë sefa edhe po shëtisin prej hoteli në hotel edhe nuk po i kryejnë punët. Kush duhet me qajt aty duhet Qeveria e Kosovës”, tha Çerkini.

Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajçevci ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të bëjnë më shumë presion nga palës serbe me qëllim të ndriçimit të personave të zhdukur.

“Adresa për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të Kosovës është Beogradi dhe ndërkombëtarët duhet ta bëjnë një trusni më të madhe mbi qeverinë e Beogradit sepse të gjithë i ka marr çoftë të gjallë dhe çoftë të vdekur për t’i fshehur gjurmët e krimit. Kështu që besoj që një trusni më e madhe ndërkombëtare do ta zgjidhte këtë problem nëse nuk bëhet problem politik,sigurisht është problem politik”, tha Grajçevci.

Nusrete Kumnova kryetare e shoqatës ”Thirrje të nënave”, tha se është mëkat për institucionet vendore që lejuan Serbinë të ndikojë tek ndërkombëtarët për të mos zbardhur fatin e personave të pagjetur në Kosovë.

Me dhimbje të thellë ajo thotë se familjarët e të zhdukurve e kanë edhe më të vështirë kur kujtojnë që edhe pas shumë viteve pavarësi Serbia po i mban pengë fëmijët e tyre.

Kjo nënë ka apeluar tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i vënë kushte Serbisë që t’u kthehen trupat e familjarët të tyre.

“Pesë që janë marr në shtëpinë tonë janë gjetur janë identifikuar, Albionin e mbajnë qëllimisht serbët peng sepse jam nëna më e zëshme e Kosovës për ndriçimin e fatit të pagjetur. Faktikisht jemi të gjithë familjarë të Kosovës që presim rrugëve të Kosovës që 20 vite, por është mëkat që të na sjellin këtë lodhje. Prej shtratin jam zgjuar kur vijnë ditët e shenja e kemi vështirë m me i përjetua dhe menduar që fëmijët në këtë kohë me mbetur peng i Serbisë është mëkat është gjynah ndaj nesh dhe ndaj trupave që janë në Serbi. I bëjë apel qeveritarëve tanë se më shumë po vrapojnë pas zgjedhjeve se cili të bëhet kryeministër e parlamentar sot kokën e kthejnë vetëm nga ne…Iu bëjë thirrje institucioneve vendore por më shumë atyre ndërkombëtare që janë në Kosovë që t’i vënë kusht Serbisë që së paku trupat e më të dashurve tanë të na i kthejnë“, tha Kumnova.

Për 20 vite pareshtur thotë se po kërkojnë trupi i vëllait të saj, Myrvete Hoti-Kasumi e cila është motra e veprimtarit të shquar Ukshin Hotit.

Teksa shprehet e zhgënjyer me punën e institucioneve vendore, ajo ka kërkuar që të kushtëzohet dialogu me Serbinë me ndriçimin e fatit të të zhdukurve në Kosovë.

“Deri më tani jam e zhgënjyer shumë kam hasur gjithmonë në vesh të shurdhër asnjëherë deri tani nuk është sensibilizua opinioni për çështjen e të zhdukurve , thjeshtë nuk e kemi për një mend. Kanë mundur që në fillim të procesit kur kanë filluar kanë mundur ta kushtëzojnë çështjen e të zhdukurve me bisedimet me palën serbe”, tha ajo.

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Kosovë është shënuar edhe me një protestë paqësore e organizuar nga shoqata “Ngritja e Zërit”, dhe po ashtu është promovuar një libër me rrëfime të familjarëve të të zhdukurve ”Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur në Kosovë kërkon edhe 1653 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet.

COMMENTS

WORDPRESS: 0