Fajon: Jam e zhgënjyer me vizat, procesi po politizohet

Fajon: Jam e zhgënjyer me vizat, procesi po politizohet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se është e zhgënjyer me zhvillimet rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Fajon ka thënë se është e papranueshme që Kosovës t’i imponohen kushte të reja pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat.

“Jam e shqetësuar me disa zhvillime dhe deklarata lidhur me liberalizimin e vizave, siç ishte ajo e kancelarit austriak Sebastian Kurz gjatë vizitës në Prishtinë. Është e papranueshme sesi disa politikanë po mundohen të politizojnë edhe më tutje procesin, duke imponuar kushte të reja dhe në këtë mënyrë të vonojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Fajon.

Ajo e ka quajtur të padrejtë faktin se janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e Kosovës, megjithatë Bashkimi Evropian nuk po vepron.

“Unë insistoj që vendet anëtare të përdorin të njëjtat standarde për Kosovën siç kanë qenë vitet e fundit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Pasi kushtet të plotësohen ne duhet të ecim tutje. Nëse këto principe vihen në pikëpyetje atëherë ne humbim kredibilitetin”, ka thënë ajo.

Megjithatë, eurodeputetja Fajon ka thënë se ka shpresë që deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm të mundë të merret vendimi për liberalizim nëse për këtë ka vullnet politik brenda qeverive të vendeve të BE-së.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0