EULEX-i: Kosova s’na kërkoi që të përfshihemi në autopsinë e trupit të Astrit Deharit

EULEX-i: Kosova s’na kërkoi që të përfshihemi në autopsinë e trupit të Astrit Deharit

Shteti i Kosovës nuk kishte kërkuar nga misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, që t’i ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit, tre vjet më parë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Kështu ka deklaruar për Gazetën Express EULEX-i, derisa shton se roli i tij kishte qenë vetëm vëzhgues pasi që nuk i ishte kërkuar që të kontribuojë në raport apo ta përgatitë një të ri.

Dy ditë pasi që në Qendrën e Paraburgimit në Prizren kishte vdekur në rrethana të dyshimta aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ishte kryer edhe autopsia për të ndjerin.

Tre mjekë kishin përbërë komisionin mjeko-ligjor të IML-së (Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi), derisa familja kishte angazhuar edhe dy ekspertë të pavarur (Besim Ymaj e Besim Latifaj). Të pranishëm kishin qenë edhe atëherë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, si dhe një përfaqësues i EULEX-it.

Atë ditë kishin dalë dy raporte që flisnin për rrethana krejt të ndryshme se si kishte ndërruar jetë Astrit Dehari. Komisioni i mjekëve ligjorë të IML-së thoshte se Dehari kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike, derisa ekspertët e pavarur deklaronin se i njëjti kishte vdekur si pasojë e asfiksisë së dhunshme.

Mirëpo, një raport i tillë nuk kishte dalë nga eksperti të cilin e kishte dërguar Misioni i Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX. Pavarësisht se një ekspert i tyre kishte qenë i pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, i njëjti nuk kishte kontribuar apo shkruar raport për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Zyra për media e EULEX-it ka konfirmuar për Gazetën Express se një pjesëtar i saj kishte qenë i pranishëm gjatë autopsisë së Astrit Deharit, mirëpo shton se roli i saj kishte qenë vetëm vëzhgues.

“Një pjesëtar i EULEX-it ka qenë i pranishëm gjatë autopsisë së Astrit Deharit. Mirëpo, ky pjesëtar i EULEX-it vetëm e ka vëzhguar këtë proces”, ka bërë të ditur nga EULEX-i.

Ky pjesëtar i EULEX-it, madje është informuar lidhur me gjetjet nga mjeku ligjor kosovar, thuhet tutje në përgjigje.

“Këtë pjesëtar të EULEX-it mjeku ligjor kosovar e ka informuar lidhur me gjetjet”, bëhet e ditur.

Zyra për media e EULEX-it ka bërë të ditur për Express se autoritetet e Kosovës nuk i kanë kërkuar që të kontribuojë në raportin e autopsisë për Deharin, apo ta përgatitë një raport të ri.

“EULEX-it nuk i ishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të kontribuojë në raportin e autopsisë së Astrit Deharit të përgatitur nga ekspertët kosovarë apo që ta përgatisë ndonjë raport”, bëhet e ditur në përgjigjet e EULEX-it për Express.

Pas kryerjes së autopsisë, EULEX-i kishte deklaruar se gjatë monitorimit të këtij rasti, beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, derisa Vetëvendosja pati kundërshtuar duke thënë se ky mision nuk mund të sigurojë hetime të pavarura sepse nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë i përfshirë në një rast të tillë.

Nuk është bërë e ditur se pse Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar nga EULEX-i që të ketë vetëm rol vëzhgues e të mos i dorëzojë gjetjet e tij për këtë raport, apo të kontribuojë në atë që është hartuar.

Megjithatë, rasti Dehari konsiderohet si një nga vdekjet më enigmatike të viteve të fundit. Familja Dehari asnjëherë nuk ishte pajtuar se djali i saj mund ta kishte vrarë veten, siç konstatonte raporti i parë i kryer në vend.

Për këtë çështje, një ekspertizë e re ishte dorëzuar për t’u kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, e cila e kontestoi përfundimin e autoriteteve se Dehari ka kryer vetëvrasje duke kërkuar edhe hetime të reja për këtë rast. /GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0