Engel propozon t’i vendosen sanksione Serbisë pasi po blen armë nga Rusia

Engel propozon t’i vendosen sanksione Serbisë pasi po blen armë nga Rusia

Kongresisti amerikan Eliot Engel i cili është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve në qeverinë amerikane, ka deklaruar se SHBA-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë për arsye se kjo e fundit po furnizohet me armatim nga Rusia.

Eliot Engel ka thënë se Kongresi amerikan ka miratuar Ligjin e Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve(CAATSA) pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës i cili ligj kërkon prej Administratës të vejë sanksione mbi Serbinë pasi po blen armatim nga Rusia, raporton Gazeta Express.

“Për më tepër, presioni i vënë mbi Prishtinën për tarifat e saja është tejet i jobalansuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar raportet e saja me Moskën teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimi rus. Në të vërtetë, Sipas Ligjit të Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), i miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës, këto blerje armësh lypsin prej Administratës që të vëjë sanksione mbi Serbinë. As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje”, ka deklaruar kongresisti Engel.

Tutje, Engel ka thënë se SHBA-ja duhet të fillojë të balancojë qasjen e saj karshi Serbisë dhe Kosovës dhe të përdorin standarde të njëjta për të dyja shtetet.

“Diçka nuk është në rregull me politikën amerikane dhe ne duhet ta korrigjojmë. Duhet ta fillojmë me ribalansimin e qasjeve tona karshi Serbisë dhe Kosovës. Duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë evropianë, për t’i trajtuar të dyja shtetet si partnere të pavarura dhe sovrane, duke përdorur standarde të njëjta për të dyja palët, teksa mundohemi t’i rifillojmë bisedimet paqësore. Kur ligji i SHBA-së thotë se duhet t’i vëmë sanksione Serbisë shkaku i lidhjeve të saja të sigurisë me Rusinë, atëherë duhet ta bëjmë”, ka deklaruar ai./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: