Ende pa ia paguar 53 milionët Bechtel-Enkas, Qeveria përuron autostradën “Arbën Xhaferi”

Ende pa ia paguar 53 milionët Bechtel-Enkas, Qeveria përuron autostradën “Arbën Xhaferi”

Më 29 maj do të përurohet autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar Kosovës mbi 700 milionë euro.

Punimet e vrazhda kanë përfunduar në këtë rrugë dhe pritet që përurimi të bëhet më 29 maj.

Por, i gjithë ky projekt qindra-milionësh nuk u realizua pa probleme, shkruan lajmi.net.

Kompania punuese gjobiti Qeverinë e Kosovës me 53 milionë euro për shkak të vonesave në pagesat e faturave nga Qeveria e kaluar.

E vonesa pati edhe nga kompania “Bechtel-Enka” në punime.

Pas shumë vonesave, autostrada “Arbën Xhaferi” pritej të përfundonte në dhjetor të vitit 2018, por ajo përfundoi 5 muaj më vonë se kjo datë, në maj të 2019-tës. Për këtë vonesë ministri Pal Lekaj ka paralajmëruar një gjobë prej 11 deri në 12 milionë euro pa dhënë detaje tjera.

Derisa pritet që të përurohet kjo autostradë, lajmi.net ka diskutuar me Ministrinë e Infrastrukturës për borxhet që Qeveria e Kosovës ia kishte kompanisë “Bechtel-Enka”.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu për lajmi.net ka treguar se ende nuk është kryer një pjesë e borxhit që shteti i ka “Bechtel-Enkas”.

“Ne deri më tash kemi kryer thuajse të gjitha pagesat, kemi pagesat e fundit të cilat do të kryhen pas pranimit teknik të punimeve dhe kalkulimeve të fundit ndërmjet ministrisë dhe “Bechtel-Enkas”, tha Kadriu.

Kadriu gjithashtu ka treguar se pranimi teknik i punimeve do të bëhet para përurimit të autostradës, por se disa procedura të tjera do të përfundojnë pas përurimit.

“Para përurimit do të bëhet pranimi teknik, por procedurat e përmbylljes të të gjitha situacioneve do të marrin më shumë kohë”, tha Kadriu.

Kadriu ka bërë të ditur se janë duke i bërë përgatitjet e fundit për përurimin më 29 maj të kësaj rruge ku do të marrin pjesë edhe kryeministrat e vendeve të rajonit së bashku me ministrat e infrastrukturës.

Ndërkohë, lajmi.net ka kërkuar sqarime nga zyra e informimit e MIT lidhur me atë se sa është shuma e gjobës që do të shqiptohet për ‘Bechtel Enka’, dhe si do të bëhet përllogaritja e gjobës. Pra, sa ditë është vonuar kompania për kryerjen e punëve dhe sa është shuma e gjobës për një ditë të humbur. Zyra e informimit nuk ka dashur të përgjigjet.

Autostrada është e gjatë 66.5 kilometra dhe lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut për 45 minuta e në të cilën kanë punuar rreth 9000 punëtorë, 80 për qind e tyre nga Kosova.

Ky projekt ka kushtuar 700 milionë euro dhe karakteristikë e veçantë e saj është se ka urën më të gjatë në rajon me 5.7 kilometra.

COMMENTS

WORDPRESS: 0