EKSKLUZIVE: PDK dhe LDK koalicion në zgjedhjen e Guvernatorit

EKSKLUZIVE: PDK dhe LDK koalicion në zgjedhjen e Guvernatorit

Pas më se 6 muajsh që nga dorëheqja e Guvernatorit të kaluar, Bedri Hamza, i cili i’u rikthye pozitës së vjetër në Ministri të Financave, Kuvendi i Kosovës më në fund ka zgjedhur Fehmi Mehmetin në pozitën e Guvernatorit të BQK-së, pozitë të cilën tashmë ishte duke e ushtruar. Kandidatët që u hodhën në votim ishin Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi, dhe Safet Merovci.

Nga 110 deputetë sa ishin në sallë, votimi prodhoi këtë rezultat:

  • Fehmi Mehmeti, 60 vota
  • Besnik Bislimi, 31 vota
  • Shkëndije Himaj, 15 vota
  • Safet Merovci, 4 vota

Megjithëse votimi ishte i fshehtë, me pak mund dhe matematikë mund të kuptohet se cila parti cilin kandidat e ka votuar.

Nëse nisemi fillimisht nga votat për kandidatët që nuk u zgjodhën, atëherë kemi:

Për Besnik Bislimin, ish-deputet i VV, shihet se kanë votuar të dy krahët e VV minus Donika Kadaj-Bujupi, pra gjithsej 31 deputetë.

Për Shkëndije Himajn, kandidatja e preferuar e AAK, kanë votuar deputetët e AAK dhe Nisma-s, minus dy vota nga 17 deputetë sa i kanë gjithsej.

Për Safet Merovcin 4 vota mund të kenë ardhur me gjasë nga deputetë të Nisma-s dhe PDK-së.

 

PDK dhe LDK bëhen bashkë për Guvernatorin

Nga shpërndarja e votave më lartë shihet se 60 votat e mbetura, të cilat kanë shkuar për Fehmi Mehmetin, janë 21 vota të PDK-së, 27 vota të LDK-së, 2 vota të AKR-së, dhe 10 vota të minoriteteve.

EkonomiaSot nga burime të saj mëson se në këmbim të votës për Fehmi Mehmetin, LDK-së i është premtuar posti i Zëvendës Guvernatorit të BQK-së, post të cilin më herët e kishte vetë Mehmeti.

Redaksia është në dijeni edhe për emrin e personit i cili pritet të marrë këtë post.

 

Posti i Guvenratorit i ishte ndarë AAK-së

I njëjti burim i EkonomiaSot thekson se posti i Guvernatorit të BQK-së i ishte ndarë AAK-së, meqenëse partneri tjetër i koalicionit, PDK-ja, gjatë ndarjes së pozitave kishte marrë Ministrinë e Financave.

Madje dihej edhe pretendenti që pritej të bëhej Guvernator. Gjithnjë sipas burimit tonë, ai ishte Milazim Abazi, ish-drejtor i Kasabankës, por që gjatë procesit intervistues ai ishte eliminuar nga komisioni përzgjedhës.

Me votimin e sotëm, PDK-ja ka tradhtuar partnerin e vet të koalicionit AAK-në, duke bashkëpunuar me LDK-në për të zgjedhur një kandidat tjetër nga ajo për çfarë ishin marrë vesh. / EkonomiaSot.com

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0