Egjipti tregon pse e vazhdon “ngrirjen e njohjes” për Kosovën

Egjipti tregon pse e vazhdon “ngrirjen e njohjes” për Kosovën

Egjipti edhe më tej do ta vazhdojë politikën e “njohjes së ngrirë” për Kosovën dhe do t’i ofrojë ndihmë vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës me qëllim të arritjes së zgjidhjes përfundimtare me kompromis, ka thënë shefi i diplomacisë egjiptiane Sameh Shoukry gjatë bisedave me kryetarin dhe me kryeministrin e Serbisë në Beograd.

Për RT të Serbisë ai e ka sqaruar se çfarë është ajo që Egjipti e ka “ngrirë” njohjen e Kosovës.

Sameh Shoukry në intervistën për rts ka përkujtuar se vendimi për njohjen e Kosovës është marrë në vitin 2014 kur Vëllazëria Myslimane qeveriste në Egjipt dhe kur kishte qenë një moment specifik në historinë e këtij vendi.

“Kjo ka ndodhur në momentin historik egjiptian dhe ajo qeveri është ndërruar dhe është zgjedhur kryetari i ri në vitin 2014. Kjo qeveri e ka marrë para sysh pozicionin e Serbisë dhe e ka kuptuar se sa e rëndësishme është që çështja të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në kontekst të bisedimeve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet e Egjiptit dhe të Serbisë janë të fuqishme. Egjipti nuk ka hapur përfaqësi diplomatike në Kosovë”, ka thënë Shoukry, transmeton Koha.net.

Duke u përgjigjur në pyetjen e rts-së se a është tash Kosova shtet i pavarur dhe sovran për Egjiptin, ai ka thënë se nuk “dëshiron ta kategorizojë çfarë është dhe çfarë nuk është Kosova, sepse për këtë, sipas tij, më shumë pyetet e drejta ndërkombëtare dhe legjitimiteti”.
“Pozicioni është ai që e kam sqaruar dhe përqendrohet në atë, por nuk ka implementim të atij vendimi derisa përmes bisedimeve të mos konfirmohet ai status në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë shefi i diplomacisë egjiptiane.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0