Dy raste me COVID-19 në Kaçanik, izolohen 35 familjarë të të prekurve dhe 13 punëtorë shëndetësorë

Dy raste me COVID-19 në Kaçanik, izolohen 35 familjarë të të prekurve dhe 13 punëtorë shëndetësorë

Dy persona nga komuna e Kaçanikut u konfirmuan me COVID-19 mbrëmjen e së shtunës. Kjo komunë deri mbrëmë nuk ka pasur asnjë rast me koronavirus. Kryetari I Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë për Express se janë izoluar familjarët e të prekurve me COVID-19 si dhe një pjesë e stafit mjekësor që kanë pasur kontakt me njërin prej tyre

Kreu i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka treguar se nga kjo komunë janë prekur me COVID-19 një burrë i cili kishte pasur kontakt me vajzën e tij në Ferizaj, dhe një grua e cila kishte shkuar te familja e saj në Viti.

“Mbrëmë i patëm rastet e para në komunën tonë. Sot e kemi mbledhjen e Shatbit Emergjent, ku do të marrë pjesë edhe mikrobiologu Lul Raka. Njëri nga të konfirmuarit me COVID-19 është një grua nga Vitia e martuar në Kaçanik, ajo ka qenë në një rast të vdekjes në vendlindjen e saj dhe atje e ka marrë virusin. Tjetri rast është një burrë nga Runjeva i cili ka qenë në viitë tek vajza e tij në Ferizaj”, tha Ilazi për Express.

Ilazi tha se janë në gjurmim të kontakteve tjera që këta dy persona mund të kenë pasur me familjarë apo me njerëz të tjerë.

“Nga mbrëmë kemi filluar gjurmimin e kontakteve. 38 anëtarë të familjeve të të dy personave të prekur me COVID-19 janë në izolim. Po ashtu janë izoluar edhe 13 punëtorë shëndetësorë që kanë pasur kontakt me burrin i cili është afro 70 vjeç dhe ka pasur kontrolle mjekësore”, ka theksuar Ilazi.

Ilazi tha se po presin rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për marrjen e mostrave të personave që janë izoluar.

Ai po ashtu theksoi se QKMF’të e Lipjanit janë të furnizuara me materiale shpenzuese.

Ilazi tha se me ngritjen e temperaturave, qytetarët po e kanë të vështirë qëndrimin në shtëpi.

“Kam kërkuar nga policia që të ndërmarrim masa më të ashpra, që të krijohet diciplinë, sepse me ngritjen e temperaturave qytetarët po e kanë të vështirë qëndrimin në shtëpi”, tha Ilazi.

Ndërkohë, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 731. Nga ta janë shëruar 165 ndërkaq kanë vdekur 20 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0