Dorëheqja speciale

Dorëheqja speciale

Gjakftohtë ka qëndruar për një orë në mbledhjen e 111-të të Qeverisë, dhe në fund të saj, nën emocione të forta, Ramush Haradinaj ka dhënë kumtin që kurrkush nuk e priste: “Jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit”. E ka bërë këtë të premten, pasi gjykata të cilën e kishte quajtur “monstrum” kur ishte krijuar, e ka ftuar për t’u intervistuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, shkruan sot Koha Ditore.

“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci”, ka thënë Haradinaj, në Qeveri. “Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’iu dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”.

Ftesa nga Dhomat e Specializuara – mekanizëm gjyqësor me mandat për t’i trajtuar pretendimet e senatorit Dick Marty për krime të UÇK-së – i ka ardhur në kohën kur Haradinaj ndërpreu komunikimin me dy përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe me partnerët e tij të koalicionit, përfshirë aleatin më të moçëm, zëvendëskryeministrin e parë, Fatmir Limaj. Kjo, shkaku i refuzimit të kreut të deritashëm të Qeverisë për ta hequr tarifën prej 100 për qind ndaj importeve serbe, pa të cilin vendim Beogradi zyrtar refuzon t’i rikthehet fazës finale të dialogut. Për heqje të taksës është përballur edhe me presion të rreptë ndërkombëtar. Por Haradinaj këmbëngulte se me të është duke e parandaluar edhe çuarjen përpara të skenarit të “korrigjimit të kufijve”, që shihet si eufemizëm për shkëmbim territoresh, të proklamuar nga presidenti Thaçi e nga homologu serb i tij, Aleksandar Vuçiq, e të mbështetur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka dalë në konferencë shtypi për të dhënë më shumë arsye rreth vendimit për ta braktisur Qeverinë. Gazeta e ka pyetur nëse ftesën e Speciales në këtë kohë e konsideronte të shtyrë nga politika dhe nëse ajo përbënte “faturën” që duhej paguar për taksën. Nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Është mirë me e kuptu të gjithë që jemi sovranë, jemi njerëz të këtij vendi, e kemi nderin tonë. Nuk është në treg për vlera tjera nderi ynë dhe i luftëtarit shqiptar, edhe i vendit, edhe i shtetit, edhe i kryetarit të Qeverisë. Nuk është i poshtërueshëm nga askush”, është përgjigjur Haradinaj. “Edhe pse jemi vend i ri e i vogël, nuk do të mundet kush ta poshtërojë Kosovën asnjëherë”.

Brenda në sallën e Qeverisë, pjesën më të madhe në fjalimin e dorëheqjes ai ua ka kushtuar pikërisht aspekteve që lidhen me dialogun me fqinjin verior, i cili zhvillohet 20 vjet pas përfundimit të luftës. Ka thënë se Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja si një opsion, apo ajo që e ka quajtur “Dodik Republika” për komunat serbe, si opsion tjetër, ka thënë të jenë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Ai ka thënë se, si kryeministër i Qeverisë së Kosovës besonte fuqishëm se çmimi që Kosova ia ofron Serbisë për njohje është tregu, dhe për këtë ka thënë se taksa ndaj importeve serbe duhet të hiqet vetëm kur fqinji verior ia njeh shtetësinë Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet. Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo ‘Republika e Dodikut’”, ka thënë Haradinaj. “Më lejoni t’ju siguroj se Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, ‘Trepça’ është e gatshme për investime”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0