Diplomati amerikan Hale vjen në Kosovë, taksa dhe dialogu arsyet kryesore të vizitës

Diplomati amerikan Hale vjen në Kosovë, taksa dhe dialogu arsyet kryesore të vizitës

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, David Hale, do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë. Vizita e Hale-s vjen në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar dhe kur SHBA-ja po përpiqet të krijojë rrethanat që procesi të vazhdojë. Ndërkohë, gjatë javëve që po lëmë pas krerët e shtetit kanë pritur mysafirë edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë për marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxisë kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai do të diskutojë edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor”.

Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

Hale është zyrtari më i lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën. Vizita e Hale vjen në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar dhe kur SHBA-ja po përpiqen të krijojnë rrethanat që procesi të vazhdojë.

Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave, ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.

Ndryshe, Gazeta Express kishte raportuar para një jave se një nga njerëzit kryesorë të Departamentit të Shtetit Amerikan, diplomati David Hale do të vizitojë Kosovën më 8 dhe 9 mars.

Këtë për Gazetën Express e kishte konfirmuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, planifikon të jetë në Prishtinë më 8-9 mars”, thuhet në konfirmimin e Ambasadës amerikane për Express.

David Hale detyrën e tij të nënsekretarit të Shtetit për Çështje Politike e ka marrë më 30 gusht të vitit 2018. Ai ka shërbyer si ambasador në Pakistan, Liban, ka qenë i dërguar special për paqen në Lindjen e Mesme, dhe ambasador në Jordani, dhe gjithashtu kishte shërbyer edhe në Misionin Amerikan në OKB.

Gjatë viteve 2008/9, Hale në Uashington kishte qenë zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Izraelin, Egjiptin dhe Levant [regjion në Azi]. Ai gjithashtu ka qenë drejtor për Çështje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës gjatë viteve 2001-2003.

Gjithashtu, Hale kishte qenë edhe asistent ekzekutiv i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Diplomati amerikan Hale, gjithashtu, ishte shpërblyer me disa çmime për punën gjatë gjithë karrierës së tij. /GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0