Dhurohet gjak në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Dhurohet gjak në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, sot në selinë e kësaj partie është bërë dhurim vullnetar i gjakut.

Këtij aksioni i është përgjigjur edhe kreu i kësaj partie Albin Kurti, i cili tha se në trevjetorin e ‘mbytjes së Astrit Deharit po shprehin solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak’.

“Astrit Dehari ka qenë edhe student i mjekësisë, student i shkëlqyer, po njëkohësisht ka qenë edhe punëtor e zyrtar në Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, me ç’rast u ka ndihmuar shumë pacientëve dhe ka punuar me shumë zell sidomos tek ata që kanë pasur më shumë nevojë. Prandaj, sot me rastin e trevjetorit të mbytjes së tij në burg, ne shprehim solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak. Prandaj edhe në këtë ditë organizojmë këtë aktivitet për dhënien vullnetare të gjakut, në kujtim të shokut tonë, aktivistit tonë, të punëtorit shëndetësor të kryeqytetit Astrit Deharit”, tha ai, raporton KSP.

Gjak ka dhuruar edhe aktivisti i Vetëvendosjes Fadil Seferi nga Mitrovica, i cili tha se këtë po e bën në nderim të Astrit Deharit.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, dhurimi i gjakut shpëton jetë. Shfrytëzova rastin që prej marshit për Astritin të vendosi të vij dhe të dhuroj gjak në Lëvizjen Vetëvendosje, do të thotë nuk është hera ime e parë, është hera ime e tretë diku dhe do të vazhdoj të dhuroj gjak, është për të mirën e njerëzimit”, tha ai.

Për herë të parë gjak ka dhuruar Arta Bajralia, e cila u shpreh se guximin për të dhuruar gjak e ka marrë për nder të aktivistit Astrit Dehari.

“Është hera e parë për mua që dhuroi gjak, por për nder të Astrit e kam marrë edhe guximin”, tha ajo.

Edhe Musa Hyseni ka dhuruar sot për herë të parë gjak, e shkak për këtë ka qenë kampanja e dhurimit të gjakut për nder të Astrit Deharit.

“Është hera e parë që dhuroj gjak, më së shumti ka qenë arsyeja shkaku i kampanjës për Astrit Deharin. Është gjëja më e vogël që mund ta bëjmë dhe për këtë qëllim kam vendosur dhe e di që i shërben çdo qytetari të Kosovës”, tha ai.

Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbajtur disa aktivitete në Prishtinë dhe Prizren.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq në vitin 2016 në rrethana dyshuese derisa ishte në paraburgim në burgun e Prizrenit.

Së fundi, rasti i tij ka kaluar në juridiksionin e Prokurorisë Speciale, nga Prokuroria Themelore në Prizren, pas arritjes së ekspertizës nga një institut i pavarur në Zvicër, ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: