“Dhurata” milionëshe për kompaninë që shpenzoi 5.7 milionë euro për “ndreqje të imazhit” të Kosovës

“Dhurata” milionëshe për kompaninë që shpenzoi 5.7 milionë euro për “ndreqje të imazhit” të Kosovës

Saktësisht para një dekade, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë president i vendit, kishte prezantuar konzorciumin izraelito-kosovarë, “Satchi & Satchi dhe Pr Solutions”, të cilëve ua kishte vënë mbi supe “barrën” për përmirësimin imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare me moton: “Kosova, evropianët e rinj”.

Ky konzorcium në atë kohë për këtë qëllim kishte marrë hiç më pak se 5.7 milionë euro nga buxheti i shtetit, përderisa efekti i parave të shpenzuara mbetet zero, pasi që imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare vazhdon të mbetet i keq, raporton Portali “Front Online”.

Dhjetë vite pasi që u shpenzuan rreth 6 milionë euro për transmetimin e një reklame televizive në 6 kanale të mëdha televizive ndërkombate siç janë: CNN, BBC, Euronews, CNN Turk, Bloomberg dhe Eurosport, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa kurrfarë perspektive evropiane, pasi që nuk ka as liberalizim të vizave me BE-në dhe është e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në familjen evropiane.

“Sot ne prezantojmë para rrjeteve më të shikuara televizive, imazhin e ri të Kosovës, imazhin e shtetit të Kosovës, imazhin e Kosovës së pavarur, sovrane, demokratike dhe multietnike, imazhin e Kosovës me perspektivë euroatlantike”, pati deklaruar Thaçi në tetor të vitit 2009.

Derisa milionat janë shpenzuar dhe imazhi nuk është përmirësuar, ministrja në largim e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila është kandidate për deputete nga radhët e PDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, parti kjo që më herët e ka udhëhequr presidenti aktual, Hashim Thaçi, i ka dhënë kontratë në vlerë prej rreth 900 mijë euro kompanisë “Pr Solutions”.

Kjo e fundit ka qenë partnere e Satchi & Satchi në fushatën e vitit 2009 për përmirësimin e imazhit të Kosovës.

Kontrata e “Pr Solutions”, të cilën ministrja Hoxha e ka nënshkruan në korrik të këtij viti, ka qenë më e shtrenjta, pasi që oferta më e lirë kishte qenë vetëm 285 mijë euro, apo rreth 600 mijë euro më pak se kompania fituese.

“Front Online” javë më parë i ka dërguar pyetje Ministrisë së Integrimeve Evropiane në lidhje me kontratën e nënshkruar me kompaninë “PR Solutions”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Ndërsa Ekrem Tahiri, drejtues i kompanisë “Pr Solutions” ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet Ministrja e Integrimeve Evropiane.
/ Front Online/

COMMENTS

WORDPRESS: 0