Detaje nga vrasja në Kamenicë, i dyshuari lajmëroi policinë pasi e qëlloi gruan

Detaje nga vrasja në Kamenicë, i dyshuari lajmëroi policinë pasi e qëlloi gruan

Nuhi Marovca i cili dje vrau me një shufër hekuri bashkëshorten e tij Sabilen, 34 vjeçe, e kishte lajmëruar vetë rastin në Policinë e Kamenicës

Sipas burimeve të Reporterit.net, i dyshuari e kishte thirrur vetë Policinë në telefon dhe i kishte njoftuar për aktin makabër me të cilin i mori jetën gruas së tij, nënës së tre fëmijëve.

I dyshuari veprën e ka kryer me një mjet të fortë, shkop metali.

E ndjera është varrosur sot në fshatin e saj të lindjes në Korbliq të Kaçanikut.

Kurse, Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit N.M., i cili dyshohet se privoi nga jeta gruan e tij me shufër metalike në fshatin Berivojcë të Kamenicës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë ditës së djeshme, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë – shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse”.

Gjykata ka njoftuar se duke marrë për bazë peshën e veprës minimumi i dënimit parashihet 10 vite, ndërsa maksimumi burgim i përjetshëm.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marr për bazë peshën e veprës penale, ku minimumi i dënimit parashihet 10 vite, ndërsa maksimumi burgim i përjetshëm dhe caktimi i masave alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0