Deputetja e LDK-së: Të hiqet monopoli i Devollëve për homologim

Deputetja e LDK-së: Të hiqet monopoli i Devollëve për homologim

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme ka treguar pse partia e saj nuk po e voton pikën e rendit të ditës për ndryshimin e Ligjit për Automjete, gjegjësisht lejimin e regjistrimit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Ajo ka kërkuar që fillimisht të hiqet monopoli i Devollëve, e pastaj të ulen e të flasin për këtë ligj.
Bajrami ka thënë se arsyeja pse s’po votohet ky Ligj është se ekziston dyshimi i bazuar se prapë do t’u jepet homologimi atyre që e kanë pasur deri sot.

“Arsyeja pse s’po votohet ky ligj është se po dyshojmë duke marrë parasysh monopolin në homologim, që prapë do t’i jepet monopoli dikujt në inspektimin e standardeve apo diçka tjetër. Këtu s’ka interesa të qytetarëve, këtu ka interesa të grupeve”, është shprehur Bajrami.

Monopolin e homologimit të veturave në Kosovë e ka kompania në pronësi të biznesmenëve të familjes Devolli nga Peja.

Deputetja e ka fajësuar kreun e Nismës, që sa ishte ministër i Transportit ua ka dhënë lejen Devollëve për homologim, duke e monopolizuar tërësisht këtë segment.

Tutje, Bajrami ka shtuar se gjatë qeverisjes së LDK-së, ministri Lutfi Zharku ka dashur ta shkëpusë kontratën me Devollët, por kushtet e kësaj marrëveshjeje kanë qenë asisoj që kompania ka mundur ta çojë shtetin në Arbitrazh.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0