Deputeti i AAK-së: Sa herë të kam mundësi do të punësoj njerëz të partisë para të tjerëve

Deputeti i AAK-së: Sa herë të kam mundësi do të punësoj njerëz të partisë para të tjerëve

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se nuk turpërohen që familjarët e militantët e tyre janë punësuar në institucione publike, madje insistonte se do të punësonte një njeri të AAK-së para të tjerëve.

Demaliaj thotë se sikur të mundte të gjithë të AAK-së do t’i punësonte. E gjithmonë do të zgjidhte një të Aleancës në kushte të barabarta.

“Sikur të mundja me i punësu të gjithë të Aleancës sonte i kisha punësuar. Të gjithë e kanë bërë këtë e pse të mos e bëjmë edhe ne. Me admirim e them se pse të mos jenë të punësuar ata të Aleancës. Nëse janë të barabartë unë e kisha pranuar në punë atë që është me AAK-në. Sa herë që të hapet në konkurs, nëse është një i Aleancës dhe i përshtatet atëherë i them të konkurrojë”, është shprehur Demaliaj.

Demaliaj është pyetur edhe për punësimin e gruas së tij në kompaninë “Pastrimi”, për të cilën thotë se ajo është punësuar para se AAK-ja të jetë në pushtet dhe aty është me meritë.

“Punësimet janë pjesë e proceseve e gjithmonë duke respektuar. Nuk e drejtoj atë kompani publiku dhe ata kanë organogram. Bashkëshortja ime nuk është punësuar kur AAK-ja ka ardhë në pushtet, por kur aty ka qenë LDK-ja ajo është punësuar. Ajo është juriste e diplomuar, më parë nuk ka punuar pasi kemi pasur fëmijët e vegjël”, është shprehur Demaliaj, në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, militantët e AAK-së janë diskriminuar gjithmonë.

“Unë kam një obligim tjetër, jam deputet. Ne jemi mandatarë. Siç e dini të gjithë kanë premtuar 200 mijë vende të punës. Si Aleancë kemi qenë të diskriminuar. Gjithmonë ka pasur ankesa pasi dikush është më i afërt me një parti. Edhe sikur të ndodhte tash punësimi i gruas time. Nëse i plotëson kushtet, unë nuk kam të drejtë ta drejtoj gruan time se çfarë të punojë. Me rëndësi është që të jetë e kualifikuar. Mund të ketë ndikime indirekte, por me rëndësi të ketë kualifikime”, shprehet ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0