Deputetët nuk e miratojnë vendimin e Qeverisë për privatizim të Telekomit

Deputetët nuk e miratojnë vendimin e Qeverisë për privatizim të Telekomit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk ka votuar vendimin e Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Telekomit.

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar raporti hetues për Telekomin.

“Të shohim raportin përfundimtar hetimor nga Komisioni parlamentar për Telekomin, pastaj të shohim. Përndryshe, unë nuk marr pjesë në votim”, ka thënë Sejdiu, raporton KP.

Anëtari tjetër i komisionit Memli Krasniqi u shpreh kundër heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk duhet me lënë në gjendje aq të keqe në të cilën është Telekomi. Vetëm privatizimi e kishte shpëtuar Telekomin. Mendoj se duhet të votohet ky vendim, se edhe ashtu i gjithë procesi i privatizimit nuk mund të ndodhë para dy vjetësh. Nëse nuk merr pjesë Dardan Sejdiu, propozoj mos me e qitë në rend dite, kështu që vetëm bartet nga mbledhja në mbledhje”, ka deklaruar Krasniqi.

Komisioni me shumicë votash miratoi kërkesën e Sejdiut për heqjen nga rendi i ditës së vendimit qeveritar për privatizimin e Telekomit.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik sot ka shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM për vitin 2018, për të cilin ka raportuar Musa Shabani, kryetar i Bordit i KPMM-së.

Po ashtu, komisioni miratoi edhe Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017.

COMMENTS

WORDPRESS: 0