Deputetët kërkojnë ndryshimin e statutit të mikrofinancave që veprojnë si OJQ

Deputetët kërkojnë ndryshimin e statutit të mikrofinancave që veprojnë si OJQ

Një debat i nxehtë dhe me mjaft polemika është zhvilluar ndërmjet deputetëve dhe drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të atyre të Ministrisë së Financave për projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe për institucionet financiare jo bankare që është shqyrtuar në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Deputetët kanë kërkuar që institucionet mikrofinanciare që veprojnë si OJQ të mos veprojnë më në këtë mënyrë për shkak se që nga paslufta janë institucione fitimprurëse dhe nuk paguajnë tatime për shtetin.

Fillimisht guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është për një sistem stabil financiar.

Ai tha se BQK adreson qartë kriteret për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare.

“Objektivat me këtë projektligj janë përshtatja e legjislacionit me atë të BE dhe vetëdijesimi i këtyre institucioneve për veprimtarinë e tyre”, ka thënë Mehmeti.

“Për asnjë transformim nuk bëhet fjalë me këtë projektligj. Ky ligj i rregullon të gjitha institucionet mikrofinanca që janë të regjistruar në MTI dhe nuk i rregullon ato mikrofinanca si OJQ të regjistruara në MAP”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

Edhe pse Mehmeti tha se BQK mbikëqyrë institucionet mikrofinanciare si OJQ, deputetja e Kuvendit të Kosovës Hykmete Bajrami tha se përfundimisht statusi i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jo bankare duhet të ndryshoj për këto institucioni fitimprurëse të cilat nuk paguajnë tatime shtetit qe 15 vjet.

Ndërsa, sipas saj, normat janë tepër të larta prej 23 deri 32 për qind, siç i ka quajtur ajo fajde.

Bajrami potencoi se po të ishte pjesë e këtij komisioni, asnjëherë nuk do ta kishte pranuar këtë ligj.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdigjiku, propozoi të formohet një grup punues qe të qartësojnë dhe të punojnë për ligjet në fjalë.
“Ka një vullnet për të përmirësuar gjendjen e tanishme. Çështja e investimeve është shumë e paqartë. Çështja kryesore mbetet 120 milionë euro të institucioneve mikrofinanciare që smarrin ndonjë adresë”.

“Unë kisha propozuar që të formojmë një grup punues që të nis një sërë takimesh me komisionin për administratë publike. Ne kemi një gjendje të krijuar të pasluftës, kemi institucione 120 milionë euro kapital që adresohen si OJQ”.“E vetmja gjë që nuk duhet të kalojë është që këto mjete të kalojnë në kapital privat. Po të pyetesha unë, këto institucione do të falimentonin dhe mjetet do të shkonin në bamirësi ose në ndonjë fond zhvillimor”.

COMMENTS

DISQUS: 0