Demarkacioni: Një mashtrim, një sallto politike, dhe një dele që ndahet nga kopeja

Demarkacioni: Një mashtrim, një sallto politike, dhe një dele që ndahet nga kopeja

Edhepse e “përforcuar” me raportin e komisionit Bulliqi dhe me marrëveshjen e mirëkuptimit në mes të dy presidentëve, tentativa për ta ratifikuar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dështoi përsëri. Seanca u shty për nesër, kur edhe mbetet të shihet se a do të mund të sigurohen votat. Në politikën tonë, 24 orë janë shumë të gjata dhe mund të ndodhë gjithcka.

Marrëveshja e vjetër u pajis me një raport të një komisioni tjetër ku thuhet se Kosova po humbet tokë, gjë që është kontradiktë në vetvete, sepse po bëhej thirrje që të votohej një marrëveshje sipas të cilës po humbej tokë.

Asaj gjithashtu i’u shtua edhe një “letër e vullnetit të mirë” të cilën e nënshkruan presidentët e dy vendeve me anë të së cilës palët pajtoheshin që gabimet eventuale të korrigjoheshin pas ratifikimit të marrëveshjes së vjetër. Por ja që një letër e tillë nuk paraqet asnjë obligim ligjor për palën malazeze – Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen pa këtë shtojcë, dhe si e tillë nuk ka nevojë t’i qëndrojë prapa.

Sido që të jetë, marrëveshja e vjetër, bashkë me raportin e Bulliqit, dhe me shtojcën e Thacit, u quajt marrëveshje e “përmirësuar”, u ri-miratua në Qeveri, dhe u dërgua në Kuvend për ratifikim. Krejt këtë e bëri njëri ndër kundërshtuesit më të ashpër të marrëveshjes për demarkacion. Mjaftoi një shtojcë me anë të së cilës përgjegjësia hidhej mbi deputetët si dhe një mashtrim i radhës i Thacit, që Haradinaj të bënte sallton më të madhe politike që dikush e ka parë në këtë vend.

Fillimisht ishte menduar që votimi do të kalonte pa problem, meqë LDK e kishte konfirmuar votën e saj pro. Mirëpo në moment të fundit, kjo parti kishte ndryshuar qëndrim, duke e kushtëzuar votën e vet me heqjen nga votimi të raportit të Komisionit Bulliqi, si dhe heqjen e Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të Thacit dhe Vujanovicit, presidentit të Malit të Zi.

Kërkesa e LDK-së mbase edhe është legjitime – ishte po kjo marrëveshje që kishte vulosur fundin e Qeverisë Mustafa dhe koalicionit LDK-PDK. Atëbotë, marrëveshja po kundërshtohej madje edhe me gaz lotësjellës nga koalicioni i partive opozitare VV-AAK-Nisma. Dhe pasi dy prej partive që kishin kundërshtuar marrëveshjen AAK dhe Nisma tani bënë sallto politike dhe ndryshuan qëndrim, LDK me të drejtë kërkon që maskimi që po i bëhet qëndrimit të ndryshuar të shihet cullak, ashtu sic edhe është.

Në mungesë të votave të LDK-së, është më se e sigurt që koalicioni qeverisës do të fillojë gjahun edhe tek pjesa tjetër e opozitës, më saktësisht tek deputetët e Vetëvendosjes. Shenja për optimizëm tashmë ka. Në votimin e marrëveshjes në Komisionin për Punë të Jashtme, dy nga tre deputetët e vetëvendosjes votuan kundër, por njëri abstenoi. Mbase Dukagjin Gorani do të jetë delja e parë që ndahet nga kopeja.

COMMENTS

WORDPRESS: 0