Deklarohet Haziri: Marrëveshja me VV-në nënshkruhet nesër

Deklarohet Haziri: Marrëveshja me VV-në nënshkruhet nesër

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se të dielën do të arrihet marrëveshja mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e koalicionit për bashkëqeverisjen e vendit.

“Të hënën duhet të shkojmë ta zgjedhim Qeverinë. Angazhimet janë të mëdha. Besoj që nesër arrihet marrëveshja”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.

Më herët, Gazeta Express ka raportuar se është hapur rruga për marrëveshje mes VV’së dhe LDK’së.

Express po ashtu ka raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK’në për formimin e qeverisë.

Dy partitë po negociojnë për të formuar koalicionin qeverisës pothuajse prej kur kanë përfunduar zgjedhjet e vjeshtës së kaluar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0