Daçiq reagon pas fjalëve të Edi Ramës në Pejë

Daçiq reagon pas fjalëve të Edi Ramës në Pejë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk ka kuptim që të flitet për bashkëpunimin rajonal, pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu mbështetje për taksën 100% që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Rama i dha mbështetje tarifës gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që u mbajt të hënën në Pejë.

“Rama i vrau marrëveshjet rajonale për bashkëpunim, për hapësirën e përbashkët ekonomike. Është e pakuptimtë që të mbahen çfarëdo takimesh për bashkëpunimin rajonal, pas asaj që tha Rama”, tha Daçiq për gazetarët në Beograd, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, Kosova ka rritur nga 10% në 100% taksën mbi të gjitha mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Vendimi ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë, si dhe thirrje nga Bashkimi Evropian për ta hequr këtë detyrim doganor.

COMMENTS

WORDPRESS: 0