Cilat janë çështjet kryesore të Forumit Ekonomik Botëror për këtë vit

Cilat janë çështjet kryesore të Forumit Ekonomik Botëror për këtë vit

Problemet politike dhe ekonomike janë në pritje të liderëve botërorë, të cilët do të bashkohen në Davos të Zvicrës për ta mbajtur Forumin Ekonomik Botëror. Në prag të kësaj ngjarjeje, po shtrohet pyetja se a ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur këto probleme.
Globalizimi

Njëra nga qëllimet e forumit është që ta përmirësojë gjendjen botërore. Sidoqoftë, analisti politik, Anand Giridharadas, ka shumë kritika për forumin, duke thënë se kjo ngjarje është bashkim i njerëzve që e përçajnë botën. Pas dekadave të mbizotërimit të globalizmit, pjesëmarrësit e këtij forumi tash janë më tepër të shqetësuar për rritjen e pabarazisë dhe politikave nacionaliste, të cilat pritet ta dëmtojnë ekonominë në mbarë botën.

Kriza e ndryshimeve klimatike

Pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme, si duket udhëheqësit e bizneseve, politikanët dhe ekonomistët e kanë kuptuar gjendjen e vërtetë. Ndryshimi i klimës dhe moti ekstrem janë ngritur në krye të listës së rreziqeve për ekonominë botërore. Për fat të keq, përkeqësimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rritja e nacionalizmit nënkupton vështirësim për arritjen e marrëveshjes botërore për ta zgjidhur problemin, pavarësisht dëshmive që kemi nga zjarret në Kaliforni dhe vërshimet në Evropë.

Shëndeti mendor

Forumi Ekonomik Botëror e ka bërë temë të rëndësishme shëndetin mendor këtë vit. Pjesëmarrësit do ta diskutojnë problemin e rritjes së depresionit, ankthit dhe problemeve tjera mendore. Princi William do t’i sfidojë lidërët e bizneseve për përmirësimin e mirëqenies emocionale dhe mendore në mjediset e punës. Ai do të marrë pjesë në një diskutim për këtë çështje së bashku me kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Dobësimi i Kinës

Shpresat se forumi do të ofronte zgjidhje për luftën tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u shuan kur presidenti amerikan ia ndaloi pjesëmarrjen në këtë forum tërë delegacionit të Shtëpisë së Bardhë. Në mungesë të tyre, zëvendëspresidenti i Kinës, Wang Qishan, do ta mbajë një fjalim të veçantë. Prapa skenave, ai do të pyetet edhe për dëmin që po ia shkakton lufta ekonomike e SHBA-së Kinës dhe për atë se a po ngadalësohet ekonomia e Kinës aq shpejt sa po raportohet nga ekonomistët.

Rritja e populizmit

Jair Bolsonaro, presidenti i ri i Brazilit, do ta plotësojë boshllëkun e Trumpit përmes një fjalimi të martën. Kjo do t’ia mundësojë përcaktimin e agjendës për ditën e parë të forumit. Ai ka thënë se do ta prezantojë një Brazil tjetër, të çliruar nga lidhjet ideologjike dhe korrupsioni i përhapur. Zvogëlimi i taksave dhe privatimi i premtuar nga ai janë të mirëpritura nga investuesit. Sidoqoftë, ai pritet të sfidohet nga grupet për të drejtat e njeriut për shkak të politikave autokratike dhe zbutjes së ligjit për mbajtjen e armëve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0