“Burgosja për shkak të gjobave në trafik është e anti-kushtetuese”

“Burgosja për shkak të gjobave në trafik është e anti-kushtetuese”

Ndonëse me Ligjin për kundërvajtje nuk parashihet që personat e gjobitur për shkelje të rregullave të komunikacionit të dënohen me burgim, shumë persona në Kosovë vazhdojnë të burgosen për të shlyer gjobat e shqiptuara.

Zyrtarët në Gjykatën Themelore në Prizren, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se për vite me radhë, gjykata ka marrë vendime lidhur me këtë çështje dhe ato janë ekzekutuar.

“Te aktgjykimet e plotfuqishme ka edhe dënime të shqiptuara për vepër penale, rrezikim i trafikut publik e po ashtu edhe për vepër penale vjedhje e pyllit të cilave si dënim kryesor i është shqiptuar dënimi me gjobë e për shkak të mospagesës së të njëjtës nga ana e të dënuarve, gjykata dënimin me gjobë e ka zëvendësuar me dënim me burg, gjithmonë duke u bazuar në dispozitat e Kodit Penal”, tha Afërdita Kicaj, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prizren.

Kicaj tha se gjobat apo dënimet të cilat nuk janë paguar me para, e qe janë shqiptuar si dënime me burgim, kanë qenë të vlerave të ulëta të parave, por siç thotë ajo ka pasur edhe dënime të larta.

Po ashtu, edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se në burgje për shkak të mospagesës së gjobave në trafik janë disa persona.

“Aktualisht në institucionet korrektuese, janë dy persona të cilët për shkak të mospagesës së gjobës janë të detyruar që pagesën ta shlyejnë me burg”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Kundërvajtje i cili ka nisur të zbatohet që nga viti 2017, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë ishin zotuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit do të rritet edhe përgjegjshmëria për pagesën e gjobave.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se gjykatat në rast të shqiptimit të dënimeve me burgim për shkak të një gjobe për kundërvajtje, janë duke bërë shkelje madje edhe kushtetuese.

“Çështja e dënimit me burgim për rastet me kundërvajtje është paraparë se është shkelje e Kushtetutës, prandaj edhe është hequr dënimi. Kështu që nuk duhet që të ketë dënime me burgim për personat të cilët nuk i paguajnë gjobat e kundërvajtjeve”, tha Rezniqi.

Ajo thotë se gjykatat në gjithë vendin i kanë dispozitat e ndryshme ligjore në fuqi që mund t’i shfrytëzojnë dhe të mos i shndërrojnë gjobat e kundërvajtjes me burgim.

/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/

COMMENTS

WORDPRESS: 0