Buja në Gjykatë: Partitë kishin marrëveshje për numrin e veteranëve

Buja në Gjykatë: Partitë kishin marrëveshje për numrin e veteranëve

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë se partitë politike në Kosovë, kishin marrëveshje rreth nurmit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai ka thënë se për këtë do të ofrojë dëshmi, gjatë procesit gjyqësor të rastit të njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ai po akuzohet së bashku me ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputetin Shkumbin Demalijaj, si dhe tetë persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, Shukri Buja ka thënë se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, është përballur me presione të vazhdueshme politike dhe të opinionit publik.

“Komisioni ka qenë para vendimeve dhe presioneve politike dhe atyre nga opinioni për të dal me lista për veteranë. Për të vërtetuar këtë, do të propozojë dëshmitarë, të cilët do të vërtetojë se ka pas marrëveshje mes subjekteve politike dhe do të jenë udhëheqësit e subjekteve politike që kanë bo marrëveshje. Do të ofrojnë dëshmi mbi presionin në Komision nga opinioni publik”, deklaroi Buja.

Ai ka thënë se pafajësinë e tij do ta argumentojë përmes dëshmive dhe dëshmitarëve, të cilët do t’i propozojë nga MPMS-ja, për të cilët tha se këtu në mënyrë paushalle janë duke përkrahur prokurorin.

Buja tha se do të vërtetojë se Komisioni pjesë e të cilit kishte qenë, nuk ka marr ndonjë vendim për dhënien e pensioneve, por këtë sipas tij, e kishte bërë një organ tjetër.

Po ashtu, Buja tha se dëshmitarët që do t’i propozojë do të vërtetojnë se para se t’i nënshkruante ai listat e veteranëve të zonës së Nerodimes, e njëjta listë ishte nënshkruar nga së paku tre eprorë tjerë përgjegjës.

“Do të vërtetojë përmes dëshmitarëve se lista e veteranëve në nivel shtetëror nuk është aprovuar nga Komisioni, por jemi pajtuar që secili të nënshkruaj dhe marr përgjegjësinë për zonën e caktuar për cilën edhe është emëruar anëtari i Komisionit. Unë nga kjo gjykatë do të kërkoj ekspertë juridiko-ushtarak, qoftë edhe ndërkombëtar të cilët do të verifikojnë se cili është mbështetësi juridik, mjekësor apo tjerë, dhe cili mund të jetë pjesëtar i strukturës. Aktakuza është e pabazë sepse akuzohem për dëmtim të buxhetit dhe ka emra e mbiemra për të cilët asnjë organ shtetëror qoftë gjykata apo ndonjë komision shtetëror të ketë marr ndonjë veprim se ata nuk janë veteranë luftëtarë”, tha në fund të fjalës së tij hyrëse, i akuzuari Buja.

Ndërsa, si aktakuzë politike, e ka cilësuar mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Gafurr Elshani.

Avokati Elshani tha se aktakuza e Prokurorisë Speciale është politike, duke shtuar se nuk është mirë që krahas këtij gjykimi që është duke u zhvilluar, ushtarë tjerë të UÇK-së janë duke u akuzuar edhe për krime lufte, gjë që sipas tij, është duke u bërë për të njollosur luftën e UÇK-së.

Sa i përket akuzës ndaj të mbrojturi të tij, Qelë Gashi, Elshani tha se gjatë administrimit të provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij ka vepruar në pajtim me ligjin për veteranët dhe rregulloren e punës dhe në punën e tij për njohjen e të drejtës së statusit të veteranit ka vepruar në bazë të dokumentacionit që ka ardhur i shkruar nga komandantët.

Po ashtu, Elshani tha se në aktakuzë nuk përshkruhen se cilat veprime individuale i ka bërë i mbrojturi i tij, por janë vetëm kualifikime të përgjithshme, njësojë si për të gjithë të akuzuarit.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me çështje penale, por çështje administrative. Gabimisht prokuroria ka ra pre edhe e manipulimeve politike, duke e kualifikuar këtë si vepër penale. Për mu përdor si provë lista prej 19.500 aplikacioneve që prokuroria pretendon se janë përfitues të kundërligjshëm, duhet vërtetuar a janë më të vërtetë të gjithë këta apo pjesërisht. Pa u vërtetuar për të gjithë këta, kjo provë është e papranueshme dhe nuk mund të administrohet”, deklaroi Elshani.

Në fund, Elshani tha se është i bindur se gjykata do të vërtetojë se i mbrojturi i tij është i pafajshëm.

E ky i fundit, nuk pati çka të shtoi më shumë, përveç se tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij.

E lidhur me komentet e tij për aktakuzën si politike, kryetarja e trupit gjykues në këtë rast, Nushe Kuka-Mekaj, ia tërhoqi vërejtjen avokatit, duke i thënë që të përmbahet nga komente të tilla.

Të njëjtën vërejtje, gjykatësja Kuka-Mekaj e pati edhe për të akuzuarin Shukri Buja, pasi që ky i fundit tha se nuk është përgjigjur para prokurorit që ka përgatitur këtë aktakuzë, Elez Blakaj, me arsyetimin se i njëjti është i ndikuar politikisht.

E fjala hyrëse e mbrojtësit së të akuzuarit Shkumbin Demaliaj, avokatit Arianit Koci, u përcoll me disa polemika mes tij dhe kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj.

“Ju tërheq vërejtjen që të koncentroheni në prova dhe jo të bëni si fjalë përfundimtare. Nuk jeni tu je referu fjalës hyrëse. Duhet të respektohet gjykata se jeni mësuar të kundërshtoni vend e pa vend. Nuk e keni luftën me prokurorinë, por me provat. Të gjitha ato që i the, të lutem i përmend provat me të cilat i akuzuari Shkumbin do të vërtetohet pafajësia e tij”, tha gjykatësja, pasi avokati Koci e përmendi termin veteran i “rrejshëm”, term të cilin prokurori Gashi, tha se nuk ceket askund nga ana e prokurorisë.

E udhëzimet e gjykatëses, avokati Koci, i quajti si ndërhyrje në fjalën e tij hyrëse, duke thënë se nuk po i lejohet ta thotë atë.

Duke iu referuar aktakuzës, avokati Koci tha se do të jenë vet provat e prezantuara nga prokuroria që do të dëshmojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij.

“Adem Deliaj, ka qenë ushtar në zonën e Pashtrikut, anëtar i njësitit special, shumë herë i lënduar, shumë herë i rrezikuar me jetë. Dje kam qenë me të, në Hagë në zyrën e prokurorit të posaçëm. Kjo zyrë, na i ka tregu disa incizime të Ademit si ushtar. I njëjti ky Adem Deliaj është në listën e prokurorisë si veteran i rrejshëm”, tha Koci.

Raste të tilla kur dikujt i kontestohet pjesëmarrja në luftë me gabimin e prokurorisë, avokati Koci tha se ka edhe shumë tjera.

Sa i përket listave të personave të cilëve u është dhënë statusi i veteranit, avokati Koci e ngriti në formë të pyetjes, se çfarë ka mund të bëj i mbrojturi i tij me listat që kanë ardhur nga komandantët e Brigadave apo komandantë tjerë në zinxhirin komandues, me emrat e ushtarëve të vet.

“Çka ka mujt me bo Shkumbini kur listat i kanë ardhur nga zonat tjera. A mundet ky mi kontestu kush ka qenë Llap. Ka mujt me pas gabime teknike, administrative por qëllimi përfundimtar ka qenë që çdo kush të merr atë që e meriton”, deklaroi Koci.

Në fund të fjalës së tij, Koci tha se krejt ky proces ka shkuar në mënyrë zinxhirore nga njësitet më të vogla e deri ato më të lartë, duke shtuar se pse prokuroria në këtë rast nuk i ka akuzuar për këtë edhe anëtarët e Qeverisë.

“Jo vetëm në zonën e Dukagjinit, por të gjithë strukturat e zinxhirit komandues, nuk ka asnjë aplikacion që nuk është nënshkruar nga komandanti i zinxhirit komandues. Nëse është e nevojshme do të dëgjohen krejt ata”, tha i akuzuari Demaliaj, duke plotësuar fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij.

E mbrojtësi i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Nuredin Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj, e quajti të habitshme faktin se i mbrojturi i tij është përfshirë në këtë akuzë që përfshin një periudhë nga viti 2011 deri më 2017, pasi siç tha, Lushtaku ka marr pjesë vetëm në një mbledhje të Komisionit.

“Nga akuza e prokurorisë del se akuzohen për një periudhë të gjatë kohore, 2011-2017. Provat të cilave ju referohet prokuroria nuk vërtetojnë pretendimet e prokurorisë në aktakuzë sepse siç do të vërtetohet nga procesverbalet e Komisonit del se Nuredin Lushtaku, gjatë kësaj periudhe ka marr pjesë vetëm në mbledhjen e 26 të Komisionit, me 9 mars 2016. Prandaj, është e habitshme për mbrojtjen si është e mundur që Lushtaku të përfshihet në akuzë që përfshin nga viti 2011”, tha Rrecaj.

Në këtë mbledhje, avokati Rrecaj tha se nuk është marr asnjë vendim i rëndësishëm, ndërsa shtoi se i mbrojturi i tij, në atë mbledhje kishte shkuar si përfaqësuesi i Zonës së Drenicës, pasi që Sami Lushtaku nuk kishte mundur të marr pjesë në të njëjtën për arsye të tij.

Krejt çka kishte bërë i mbrojturi i tij në atë mbledhje, Rrecaj tha se është ngritja e një shqetësimi për ekzistimin e një brigade të quajtur “Hasan Prishtina”, për të cilën tha se nuk kishte ekzistuar.

“Asnjëri nga dëshmitarët e prokurorisë nuk ka ngritur asnjë lloj dyshimi për Lushtakun. Pres që ky gjykim të përfundojë me lirimin e zotëri Lushtakut”, tha në fund të fjalës së tij, avokati Rrecaj.

Sipas të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sadik Halitjaha, aktakuza e prokurorisë nuk ka bazë të mjaftueshme.

Sipas Halitjahës, i cili ka vendosur që të mbrohet pa avokat në këtë gjykim, aktakuza nuk i ka elementet e mjaftueshme për t’i akuzuar anëtarët e komisionit, të cilët anëtar, Halitjaha tha se më shumë kishin qenë aty për çështje morale për të zgjidhur çështjen e veteranëve sesa për çështje të pagesës.

“Unë i pranoj procesverbalet e mbledhjeve të gjithë të këtij komisioni, edhe pse najherë nuk jemi pajtu me marrjen e ndonjë vendimi, nuk i largohem përgjegjësisë si pjesëtar i Komisionit. Përkrahu tërësisht, fjalën hyrëse të avokatit Ramë Gashi, e cila ka përmbledh të gjitha ato që kisha mi thanë edhe unë. Na në komision nuk e kemi zgjedh vetveten”, deklaroi Halitjaha.

Ndryshe, në fillim të seancës të së martës, gjykatësja Kuka-Mekaj, tha se kanë vendosur që edhe për dy të akuzuarit në këtë rast, Ahmet Daku dhe Xhavit Jashari, për të cilët ishte veçuar procedura me herët, të bashkohet sërish procedura me të akuzuarit tjerë, ashtu që gjykimi do të vazhdojë për të gjithë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Por, më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi

COMMENTS

WORDPRESS: 0