Brenda dy javësh shkëputet kontrata mes Telekomit dhe Z Mobile-t

Brenda dy javësh shkëputet kontrata mes Telekomit dhe Z Mobile-t

Bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) pritet të marrë vendim së shpejti në lidhje me shkëputjen e kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon.net, përkatësisht “Z-Mobile”.

“Vendimi do të merret brenda dy javëve”, ka thënë për Radio Kosovën, kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

ARKEP-i tashmë ka konsultuar Institucionet e tjera ndërkombëtare, për të mësuar se si duhet të veprojë në këtë rast të shkëputjes së kontratës mes Telekomit dhe Z-Mobile. Kryetari i Bordit, Kreshnik Gashi, për Radio Kosovën ka thënë se vendimi ka të bëjë me vazhdueshmërinë e shërbimit të konsumatorëve të cilët janë shfrytëzues të operatorit virtual ZMobile.

“Në këtë kuadër ARKEP ka bërë konsultimet me disa rregullatorë në Europë si dhe ka marrë edhe opinionin e Entit Rregullator Europian të Komunikimeve Elektronike lidhur me këtë çështje dhe është në fazat e fundit të përgatitjes së vendimmarrjes në lidhje me këtë proces duke pasur në fokus mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe vijueshmërinë e shërbimeve që në këtë rast mund të ofrohet vetëm nga operatori Telekomi I Kosovës”, tha ai.

Gashi ka thënë se ARKEP nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në raportin komercial mes dy operatorëve, sepse marrëveshja mes tyre ka qenë private dhe është bërë pa imponim nga Rregullatori. E vendimi definitiv për situatën e krijuar në lidhje me atë se çfarë do të bëhet me numrat e ZMobile, pritet të merret së shpejti, tha ai.

“Në lidhje me këtë ARKEP pret të ketë një vendimmarrje së shpejti, orientimisht brenda dy javëve të ardhshme”, tha Gashi.

Edhe pse situata është unike edhe në rrafshin global, kryetari i Bordit të ARKEP-it thotë se vendimi do të jetë i tillë që të mos sfidohet nga askush.

“Kemi të bëjmë me një situatë unike në Europë ku nuk ka pasur shumë raste të tilla, prandaj për këtë qëllim ka marrë kohë më tepër vendimmarrja, në mënyrë që të analizohen të gjitha rrethanat dhe vendimmarrja jonë të mos sfidohet nga askush.”

Telekomi i Kosovës kontratën me Z-Mobile e ka shkëputur me 30 korrik, me ç’rast është caktuar një fazë e tranzicionit e cila do të zgjasë deri 120 ditë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0