BQE mbi kriptovalutat: Monedhat dhe firmat që i tregtojnë kërkojnë rregullim të fortë global

BQE mbi kriptovalutat: Monedhat dhe firmat që i tregtojnë kërkojnë rregullim të fortë global

Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane thonë se kriptovalutat si bitcoin dhe bankat e firmat financiare që i tregtojnë, duhet të jenë brenda një kuadri të rreptë rregullator.

Zyrtarët e ekonomive më të mëdha të botës pritet të diskutojnë për ndikimin e valutave dixhitale në takimin e radhës të G20-ës në Argjentinë, ku do të tregojnë një qasje më të koordinuar ndaj rregullimit të këtyre aktiveve.

Sipas anëtarit të bordit të BQE, Yves Mersch, çdo biznes për kriptovalutat e institucioneve financiare duhet të mbikëqyret në mënyrë rigoroze, për t’u siguruar se rreziqet që vijnë nga aktivitete të tilla janë të përmbajtura.

Sipas tij, duke marrë parasysh rrezikun e shfaqur nga përdorimi i levës financiare, institucionet nuk duhet të pranojnë valuta dixhitale si kolateral.

Këtë vit, kërcënimi rregullator dhe ndalimi i blerjes nëpërmjet kartave të kreditit, ka shkaktuar një rënie masive në tregun e kriptovalutave.

Sipas zyrtarëve, autoritetet duhet të monitorojnë gjithashtu ofertat fillestare të monedhave, ku kompanitë emetojnë valutat e tyre për të gjeneruar para nga publiku.

Në vitin 2016 sasia totale e fondeve të gjeneruara në këtë formë, shënoi më pak se 82 milionë euro, ndërsa në 2017-ën, kjo shifër u rrit në mënyrë drastike në 3 miliardë euro.

Mersch tha gjithashtu se Banka Qendrore Europiane po përpiqet të krijojë valutën e vetë dixhitale, megjithatë theksoi se do të jetë më shumë në formën e një paraje dixhitale se sa një revolucioni të stilit të bitcoin.

Bankat Qendrore kanë krijuar para dixhitale nëpërmjet rezervave që bankat vendosin apo marrin hua, megjithatë nuk është teknikisht e njëjtë me paranë që del nga bankomatet dhe që përdoret për pagesat e përditshme.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0