Berisha: Thaçi u arrestua në Shqipëri pasi u vra gazetari Ali Uka

Berisha: Thaçi u arrestua në Shqipëri pasi u vra gazetari Ali Uka

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, të enjten në emisionin ‘Opinion’, i ka dhënë një përgjigje akuzës së Thaçit, për arrestimin që i është bërë këtij të fundit në Shqipëri gjatë viteve të 90-ta.
Berisha ka thënë se Thaçi ishte ndaluar për t’u marrë në pyetje rreth vrasjes së gazetarit Ali Uka. Kjo pasi që Thaçi kishte fjetur në një dhomë me të, dhe se po në të njëjtën dhomë gazetari Uka ishte gjetur i vrarë.

Megjithatë Berisha ka sqaruar se nuk thotë që Thaçi të jetë i implikuar në vrasjen e Ali Ukës.

“Nëse është arrestuar Hashim Thaçi është arrestuar për krim ordiner. Hashim Thaçi flinte me një gazetar në dhomë, quhej Ali Uka, u gjet i bërë thertore në dhomë. Ai është thirrur për Ali Ukën. Nuk them fare se është i implikuar apo jo në vrasjen e tij. I vetmi vend në botë që ishte kundër embargos ishte Shqipëria. Pse? Sepse rëndonte mbi Kosovën. Të tjerët ku e merrnin naftën? Naftën sipas raporteve të OKB, 96% nga Danubi. Rafineria më e madhe e Beogradit merrte me tuba nga Rumania. Ne nuk kishim mjete lundruese në liqen. Ne sollën skafet e policisë. Shkodranët e mbushnin plot serbatorin dhe kalonin me makinë dhe e shisnin në anën tjetër gjysmën e saj”, ka thënë Berisha në Opinion.

Ndër të tjera Berisha iu është përgjigjur edhe akuzave të tjera të Thaçit për vizitën e Arkanit në Shqipëri dhe asaj se Berisha ka dashur që gjithmonë Kosova të mbetet nën autonominë e Serbisë.

A e ka qenë për vizitë në Shqipëri Arkani?
“Shqipëria ka qenë një vend i hapur dhe Arkani mund të ketë ardhur. Ai me pasaportë jo serbe mund të ketë hyrë, nuk them dot. Por si Arkan do të arrestohej 1 mijë herë. Në vitin 1994 Shqipëria kaloi rezolutën në OKB me 137 vota në të cilën popullit të Kosovës i njihet e drejta për vetëvendosje. Kam bërë çmos që Prishtina të ngrihet në protesta kundër Millosheviçit. Mendoja se shqiptarët duhet të protestonin. Duhej reagim. Kaq ka qenë”.

Ndër të tjera ai ka treguar edhe për qëndrimet që partia e tij dhe ai kanë pasur ndaj Sllobodan Millosheviqit, pasi Thaçi e quan argat të Millosheviqit.

“Qëndrimi i Sali Berishës dhe Partisë Demokratike ndaj Sllobodan Millosheviçit është ky: Më 22 Dhjetor Partia Demokratike ka shpallur programin “Ylli ynë polar”. Njohja e Republikës së Kosovës më 1991. Është bërë përpjekje për promovimin e lidershipit të Kosovës në atë kohë. Në samitin e Helsinkit është futur paragraf i veçantë, në të cilën Kosova trajtohet si njësi më vete. Në atë periudhë janë stërvitur në Shqipëri disa njësi të UÇK, por që të gjitha nën patronazhin e qeverisë së Kosovës, Ibrahim Rugovës. Midis tyre Adem Jashari. Janë dërguar armatime falas pa asnjë çmim Bosnjes dhe Kroacisë në kundërshtim me embargon”, ka thënë ndër të tjera Berisha./Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0