Berisha: FSK të marrë pjesë në misione paqeruajtëse

Berisha: FSK të marrë pjesë në misione paqeruajtëse

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën sot komandantin e Operacioneve Speciale të NATO-s, nën-admiralin Colin J. Kilrain, të cilit i thanë se FSK është e gatshme të marrë pjesë edhe në misione paqeruajtëse për të dhënë kontribut në ruajtjen e paqes kudo që ka nevojë.

Fillimisht, ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i Operacioneve Speciale të NATO-s biseduan mbi situatën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, si dhe u bisedua për kapacitetet institucionale të vendit në fushën e sigurisë, me theks të veçantë mbi zhvillimin, profesionalizimin, avancimin, si dhe bashkëpunimet e FSK-së me shtetet anëtare dhe atyre partnere të NATO-s.

Gjithashtu, ministri Berisha e njoftoi nën-admiralin Kilrain për misionin, detyrat, kapacitetet dhe angazhimin e Forcës për integrimin e komuniteteve, në veçanti të komunitetit serb, pastaj integrimin e gjinisë femërore, si dhe angazhimin në rritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë me institucionet emergjente vendore, ashtu edhe ato nga vende partnere, transmeton kp.

Më pas Berisha i shprehu mysafirit të lartë nga NATO-ja, gatishmërinë operacionale dhe profesionale të FSK-së, që me disa kapacitete specilistike të marrë pjesë edhe në misione paqeruajtëse për të dhënë kontribut në ruajtjen e paqes kudo që ka nevojë.

Ministri Berisha në fund të takimit me nënadmiralin Kilrain edhe një herë përsëriti orientimin euroatlantik të Kosovës dhe të FSK-së si Forcë e gatshme, e besueshme, shumetnike dhe e përfaqësuar nga të gjithë qytetarët e vendit.

Ndërsa në takimin e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama me komandantin e NATO-s për Operacione Speciale, nënadmiralin Colin J. Kilrain u bisedua për ngritjen, zhvillimin, profesionalizimin, shkollimet trajnimet, pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta qoftë në rajon e më gjerë, e gjithashtu edhe mbi të arriturat në ngritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë së FSK-së me ushtritë e rajonit, ato të shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.

Sipas një komunikate të FSK-së, vizita e nënadmiralit Kilrain vazhdoi në Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së për të parë nga afër kapacitet profesionale dhe pajisjet e kësaj njësie.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0