Beqaj hesht ndaj deklaratave të Lumezit për “Pronton”, Grabovci thotë se Prokurorisë i mungojnë faktet

Beqaj hesht ndaj deklaratave të Lumezit për “Pronton”, Grabovci thotë se Prokurorisë i mungojnë faktet

Adem Grabovci e ka çuar edhe më tutje konstatimin e Kryeprokurorit Aleksander Lumezi se s’ka fakte për gjithë të akuzuarit për aferën “Pronto”. Grabovci ka thënë se s’ka fakte për asnjërin prej 9 të akuzuarve për këtë aferë. Ka thënë se ende nuk e kanë marrë aktakuzën e ngritur në prill të këtij viti nga Prokuroria Speciale. Në këtë situatë po vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë Besim Beqaj i cili ishte takuar me Lumezin dhe kishte folur me te për “Pronton”.
Kryeprokurori Aleksander Lumezi u kishte thënë prokurorëve se në aferën “Pronto” ka fakte vetëm për disa të akuzuarë por jo për të gjithë.

Këtë shpjegim e kishte dhënë pasi kishte pranuar se ka biseduar me njërin prej të akuzuarve, Besim Beqaj.

“Edhe unë nuk jam pajtu me rastin e ‘Pronto’s, se kam thanë që ka prova vetëm për disa nga të akuzuarit, e jo për të gjithë të akuzuarit. Aktakuza ka shku shumë më përpara se me ndodhë takimi, e jo para se me shku aktakuza”, kishte thënë Lumezi, për kallxo.com

“Ai (Besim Beqaj) ka qenë i revoltuar edhe me mua edhe me sistemin që jena në mënyrë të padrejtë duke e bo edhe jena me qëllime të caktume duke e akuzu atë pasi nuk ka asnjë provë që ai ka ndiku në punësimin e njerëzëve në rastin e PRONTO-s” kishte shtuar ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka heshtur Besim Beqaj.

Ndërsa, Adem Grabovci ka shkuar edhe më tej deklaratave të Kryeprokurorit. Ka thënë se jo vetëm ndaj disave, por, nuk ka prova për asnjë prej të akuzuarve të “Prontos”.

“Jo ndaj disave, por s’ka asnjë fakt për asnjëri prej të akuzuarve”, ka thënë ai.

“Jo z. Lumezi, por asnjë jurist, asnjë prokuror, nuk mund të gjejë asnjë shkelje ligjore të kësaj afere”, ka thënë Grabovci, për Express, të shtunën.

“Vlerësimi i Lumezit është në përputhje me vlerësimet e Prokurorisë së EULEX’it sepse lënda ka të bëjë me kohën e EULEX’it. Përgjimet kanë qenë në kohën e EULEX’it. Hetimet kanë vazhduar me vite dhe është analizuar nga EULEX’it në cdo detaj. EULEX’i e ka shpallur të pabazë. Këtë fakt z. Lumezi e ka pasur parasysh dhe është një argument i mjaftueshëm se për një rast të përfunduar nuk mund të bëhet edhe një hetime tjetër”, ka thënë Grabovci.

Adem Grabovci është njëri prej të akuzuarve të aferës “Pronto”, ku zyrtarët e PDK’së dëgjohen në biseda telefonike duke punësuar njerëz e anuluar konkurse. Në mesin e të akuzuarve janë edhe Besim Beqaj, ministër aktual, Zenun Pajaziti, deputet i PDK’së. Në aktakuzë janë edhe: ish-zv/ministri, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi.

Grabovci ka thënë se ende s’e ka marrë aktakuzën nga Prokuroria.

“Kam çka flasë dhe do të flasë kur të vijë koha”, ka thënë Grabovci.

“Së pari aktakuzën nuk e kam marrë ende. Është një absurditet i llojit të vetë. Zyrtarisht ende nuk e kemi aktakuzën”, ka shtuar ai.

Deklaratat e Kryeprokurorit se s’ka fakte për aferën “Pronto” dolën pas denoncimit të prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, i cili kishte thënë se Aleksander Lumezi ishte i pakënaqur pse ishte akuzuar Besim Beqaj.

Blakaj kishte thënë se Lumezi kishte ulëritur se pse i ishte ngritur aktakuza Besim Beqajt.

“…madje edhe duke ulëritur pse kemi ngritur aktakuzë, e po ashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj)”, kishte shkruar Blakaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0