Bëhet inventarizimi i rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur

Bëhet inventarizimi i rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Ministrisë së Administratës Publike,që nga viti i kaluar kanë filluar me inventarizimin i rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur.

Transferimi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për në lokacionin e ri të caktuar nga Ministria e Administratës Publike po bëhet me qëllim të evitimit të dëmtimit të mëtutjeshëm të këtyre rrobave dhe artefakteve të gjetura së bashku me mbetjet mortore të personave të zhdukur.

Kushtrim Gara, koordinator në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, për Radio Kosovën thotë se deri më tani janë inventarizuar mbi 300 sete të rrobave dhe artefakteve të vendosura në tendën në IML të barten në lokacionin e ri të ofruar nga Administrata Publike si zgjidhje e përkohshme.

“Me qëllim të vetëm që të evitohet dëmtimi i mëtutjeshëm i rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur, këto rroba dhe gjësende personale do të kenë vendin e duhur në muze”, tha Gara.

Lokacioni i ri i caktuar nga Ministria e Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është përgatitur në përputhje me rekomandimet e prezantuara nga eksperti i angazhuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Tani në fazën e dytë përfshihen rrobat dhe gjësendet e personave të zhdukur të cilat gjenden nëpër kontejnerë frigoriferë gjithashtu në IML, thotë Gara. Ai sqaron se rastet e rrobave personale të cilat me rastin e identifikimit të mbetjeve mortore u prezantohen edhe familjarëve, ata vendosin a do t’i marrin apo do t’i lënë në përgjegjësinë e institucioneve.

“Në momentin e identifikimit të mbetjeve mortore njoftohet familja dhe pastaj ata vendosin për datën e rivarrimit dhe vendosin nëse është e interesuar për ti marrë rrobat bashkë me mbetjet mortore”, ka shtuar Gara.

Ndryshe në fazën e parë të inventarizimit dhe transferimit të rrobave dhe artefakteve janë bartur në lokacion të ri mbi 200 palë.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0